Transmetuar më 07-11-2023, 16:20

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) deklaroi sot se drejtësia shqiptare nuk ka ndjekur procedurat e duhura për çështjen "Gërdeci". Ky qëndrim vjen në përgjigje të kërkesës së familjeve të viktimave duke u dhënë të drejtë atyre.

GJEDNJ-ja çmoi se familjarëve të viktimave të tragjedisë së marsit 2008 nuk u është garantuar pjesëmarrja efektive në seancat gjyqësore.

"Për më tepër, akuzat penale ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes [Fatmir Mediu] për shpërdorim detyre janë ende në fuqi dhe pala tjetër nuk ka një vendim final për sa i përket përgjegjësisë së tij më shumë se 14 vjet pas shpërthimit," thuhet në njoftimin e Gjykatës Evropiane.

Ish-ministri Mediu akuzohet për shpërdorim detyre të dyfishtë sipas Kodit Penal dhe po gjykohet edhe nga Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Çështja ndaj tij dhe gjykatave shqiptare është ngritur në GJEDNJ nga avokatët e Zamira dhe Feruzan Durdaj, dy prindërit e 7-vjeçarit Erison Durdaj, i cili humbi jetën nga plagët e marra si pasojë e shpërthimit në depon e çarmatimit të municioneve luftarake.

Gjykata Evropiane ka urdhëruar shtetin shqiptar që të zhdëmtojë me 12 mijë euro Zamira dhe Feruzan Durdaj dhe me 10 mijë euro familjarët e tjerë që janë pjesë e padisë së ngritur.

Këto shifra shihen si inferiore nga disa, krahasuar me dëmshpërblimet me shumë zero që aplikohen në Evropë dhe SHBA.

Më 15 mars 2008, një shpërthim në Gërdec pranë Tiranës shkaktoi vdekjen e 26 personave dhe plagosjen e rreth 300 të tjerëve.