Transmetuar më 07-11-2023, 08:53

Është ndeshje për "jetë a vdekje" kjo e sotmja ndaj PSG. E thënë ndryshe, Milani duhet të fitojë, nëse do të kualifikohet në grupin e Champions League, ndryshe i thotë "lamtumirë" këtij kompeticioni shumë herët.

Dhe të mendosh se sezonin e kaluar, kuqezinjtë shkuan deri në gjysmëfinale. Rëndësinë e madhe të kësaj sfide e nalton edhe trajneri Stefano Pioli, i cili në konferencën për shtyp nënvizoi: "Kundër Udinese i zhgënjyem të gjithë, para së gjithash veten tonë. Nëse tifozët na vërshëllyen, kjo ndodhi sepse bëmë shumë keq.

Kjo ndeshje duhet të jetë pika e kthesës së madhe, Milani im dëshiron shpagim. Duhet cilësi për të luajtur një ndeshje të shkëlqyer, kemi nevojë për përqendrim maksimal gjatë 90 minutave të lojës. Do të duhet të jemi të mirë në shfrytëzimin e mundësive tona".

Pse Milani është shembur muajin e fundit?

Paguam shumë për disa rezultate si kundër Juventusit dhe Napolit, pastaj patëm një paraqitje të keqe kundër Udineses.

Çfarë ju mësoi ndeshja e Parisit?

Se ne duhet të ruajmë një nivel shumë të lartë të vëmendjes në të dyja fazat e lojës. PSG është një ekip që mund të të godasë në çdo kohë, por mund të të lejojë edhe hapësira për ta ndëshkuar. Duhet të jemi më të mirë në shfrytëzimin e mundësive tona, kur ato vijnë.

A është një ndeshje si të tjerat, pas protestës së tifozëve?

Kemi punuar dhe diskutuar. Unë fola, edhe djemtë diskutuan me njëri-tjetrin, ashtu siç duhej. Është një moment delikat i sezonit dhe të gjithë e dimë. Ka shumë dëshirë për të luajtur një ndeshje të madhe nesër.

A do të ketë ndryshime taktike në krahasim me ndeshjen e parë?

Në Paris nuk pësuam duke luajtur “ballë për ballë”. Kur pësuam gola ishim të shkujdesur, por të rreshtuar në mënyrën e duhur. Duhet të bëjmë më mirë.

A e keni metabolizuar zhgënjimin e kampionatit?

Ndjenja jonë është ajo e hakmarrjes. Ne i kemi zhgënjyer tifozët. Tani kemi mundësinë të kthehemi në rrugën e duhur, për të mirën e Milanit.

A mund t’i shpërqendrojë fansat kontestimi i Donnarumma?

Jo, ata do të bëjnë gjithçka për të inkurajuar skuadrën e zemrës deri në atë pikë sa të tregojmë se luajmë si Milani. Na takon ne t’i tërheqim ato dhe të krijojmë një mjedis pozitiv, që iu jep atyre avantazh.

A mund ta mposhtni PSG-në me një pjesë të parë si në Napoli?

Po të luajmë 90 minuta si në pjesën e parë në Napoli, ka mundësi.

Çfarë ju kanë thënë drejtuesit e klubit këto ditë?

Në këto momente nuk janë fjalët ato që bëjnë diferencën, por sjelljet. Klubi po më jep gjithçka në dispozicion për të punuar sa më mirë, rezultatet negative janë përgjegjësia ime.

Si do ta kapërceni hendekun me PSG-në dhe në përgjithësi me skuadrat e mëdha të viteve të fundit? Djemtë po vazhdojnë procesin e rritjes, janë lojtarë të talentuar. Mund të përmirësohen në kësi ndeshjesh. Kemi lojtarë të nivelit të lartë, që duhet të na ndihmojnë shumë.

A mund të luajnë Pulisic, Chukwueze dhe Hernandez? Ata janë mirë dhe mund të luajnë. Pulisic do të startojë, Chukwueze mund ta zëvendësojë nëse është e nevojshme.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd