Transmetuar më 06-11-2023, 22:50

Kryeministri Edi Rama ishte sot për një vizitë zyrtare disa orëshe në Itali, ku u prit nga Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, në zyrën e saj, në Palazzo Chigi, Romë.

Pas takimit mes tyre, Kryeministri Rama dhe Kryeministrja e Italisë Meloni dhanë një deklaratë për shtyp dhe më pas u nënshkrua Protokolli i bashkëpunimit, midis qeverisë së Republikës italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për fuqizimin e bashkëpunimit për çështjen e emigracionit.

Meloni dha detaje mbi marrëveshjen, që tha se ka nisur të diskutohet para disa muajsh, raporton noa.al.

Ajo tha se do të ngrihen dy struktura pritëse me kapacitet të njëkohshëm 3 mijë persona. Ata do të qëndrojnë deri në 28 ditë në Shqipëri.

Gjithsej do të vijnë të paktën 36 mijë refugjatë, por Meloni nuk përjashtoi që kjo shifër të jetë edhe më e lartë.

Pritja e refugjatëve do të bëhet në portin e Shëngjinit ku do të ngrihet një strukturë dhe një e dytë më në thellësi të territorit shqiptar.

Marrëveshja konsiston në faktin se Shqipëria do t’i japë Italisë mundësinë për të përdorur disa zona në territorin shqiptar, në të cilat Italia do të mund të ndërtojë me shpenzimet e saj, nën juridiksionin e saj, dy struktura ku mund të ngrejë qendra për menaxhimin e migrantëve të paligjshëm.

Këto struktura fillimisht do të mund të strehojnë deri në tre mijë persona, të cilët do të qëndrojnë në këto qendra për kohën e nevojshme për të përfunduar shpejt procedurat për shqyrtimin e kërkesave për azil dhe mundësisht për qëllime riatdhesimi.

Kjo marrëveshje nuk ka të bëjë me të miturit, nuk ka të bëjë me gratë shtatzëna dhe as me subjektet e tjera vulnerabël, pra ata nuk do të transportohen në Shqipëri.

Juridiksioni, brenda këtyre qendrave do të jetë italian. Në portin e Shëngjinit, Italia do të kujdeset për procedurat e zbarkimit dhe identifikimit. Aty do të krijohet një qendër pritjeje e parë ku do të kryhet një aktivitet fillestar depistues.

Ndërsa në një zonë tjetër më të brendshme do të krijohet një strukturë e dytë (modeli CPR) për procedurat e mëpasshme. Shqipëria do të bashkëpunojë me forcat e saj policore, në frontin e sigurisë dhe në mbikëqyrjen e jashtme të strukturave.

Kjo do të thotë se pala italiane do të ketë stafin e saj për funksionimin e qendrave dhe nuk do të punësohen shqiptarë për to.

Këto qendra do të jenë në funksion deri në pranverën e vitit 2024. /noa.al