Transmetuar më 06-11-2023, 13:21

Babai i sulmuesit të Liverpool, Luis Diaz, është ende në duart e rrëmbyesve. Siç dihet autori i rrëmbimit ishte ELN, Ushtria Çlirimtare Kombëtare. Sipas liderit të grupit gueril kolumbian, megjithatë, rrëmbimi kishte qenë një gabim.

“Kapja e babait të Luis Diaz nga Fronti i Luftës Veriore ishte një gabim, – tha Antonio Garcia në kanalin e tij Telegram. – Lucho është një simbol i Kolumbisë, kështu mendojmë ne në ELN për të. Shpresojmë që situata operacionale në terren të zgjidhet, ky është treguesi që komandantët duhet të shpejtojnë lirimin".

Babai i sulmuesit të Liverpool-it është në duart e rrëmbyesve që prej datës 28 tetor, ndërsa nëna e tij është liruar pak orë pas rrëmbimit në Barrancas. Janë ditë të vështira këto për futbollistin kolimbian Luis Diaz, që është ende duke përjetuar tragjedinë e rrëmbimit të babait të tij.

Mbrëmë, sulmuesi i Liverpool realizoi golin e barazimit për skuadrën e tij (1-1 ndaj Luton, në minutën e 95-të). Pas golit ai ngriti lart fanellën e "Reds", për të nxjerrë një bluzë të bardhë, në të cilën kishte shkruar: “Liri për babanë”.

Një apel për rrëmbyesit e babait të tij: “Tani nuk flas më si futbollist, por si Lucho Diaz, djali i Luis Manuel Diaz. Babai im, një punëtor i madh, idhulli dhe shtylla e familjes, është rrëmbyer. Kërkoj që të lirohet sa më shpejt të jetë e mundur.

Kërkoj edhe ndërhyrjen e institucioneve që të garantohet liria e tij. Çdo sekondë që kalon jemi më të shqetësuar për jetën e tij. Nuk kam fjalë për të përshkruar atë që po përjeton familja ime. Ju lutem lirojeni babanë tim tani! Ju faleminderit të gjithëve prë mbështetjen”, – tha Luis Diaz pas ndeshjes, tejet i pikëlluar për atë që po përjeton ka disa ditë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd