Transmetuar më 06-11-2023, 09:34

Partizani duhet të fitojë, që të ruajë të njëjtin ritëm kryesuesi me Egnatian. Në fakt, të kuqtë kanë në dorë edhe 3 pikët hipotetike të sfidës ndaj Teutës, të fazës së parë, pa e luajtur ende. Megjithatë, fokusi është tërësisht te dueli i sotëm me Vllazninë, e cila do të luhet prej orës 18:00 në “Arena e Demave”, e konsideruar si klasikja e futbollit shqiptar. Trajneri i përkohshëm, që mban edhe postin e drejtorit sportiv, Arbër Abilaliaj, analizoi disa tema në prag të sfidës me kuqeblutë shkodranë.

A e keni ndarë mendjen, do të jeni drejtor apo trajner i Partizanit?

Do më pëlqente t’i bëja të dyja, më duket. Situata është e njëjtë, ndaj është më mirë të flasim për ndeshjen ndaj Vllaznisë.

Si e shikoni Vllazninë, një skuadër me shumë luhatje?

Një skuadër shumë e mirë për mendimin tim, që ka ambiciet e saj për të luajtur. Ndryshimi i trajnerit dhe stili i lojës që ka trajneri i ri, kam përshtypjen se e bën Vllazninë akoma më të rrezikshme. Është si çdo skuadër e Superiores, e rrezikshme, e etur për pike. Prandaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm sa i përket mënyrës sesi do të zhvillohet ndeshja, duhet të jemi të përgatitur.

Fitore në minutat e fundit, pse vuan kaq shumë skuadra juaj?

Krijojmë shumë, por edhe shpërdorojmë shumë raste. Edhe në ndeshjen me Laçin humbëm dy raste të pastra me Cara dhe Bintcuka. Raste flagrante, që po të zgjidheshin nuk do të shkonim deri në minutën e 94-t për të shënuar. Kjo është një çështje cilësie, e kam përmendur se nuk mund të shpërdorojmë kaq shumë raste dhe t’i bëjmë kaq dramtike ndeshjet.

Si është gjendja e skuadrës?

Mungesat dihen, vazhdojnë të jenë ato që kanë qenë kryesisht gjatë gjithë kësaj kohe. Ato që kanë qenë funksionalë në këtë kohë janë totalisht më të relaksuar  dhe padiskutim gati për të bërë një tjetër ndeshje shumë të rëndësishme dhe të bukur për tifozët tanë. Luajmë në shtëpinë tonë dhe ky është një nga motivet më të rëndësishme. Çfarëdolloj ndeshjeje do të luaj, Partizani do të ketë impenjim maksimal nga minuta e parë deri në të fundit.

A është i gatshëm Alban Hoxha për Vllazninë?

Albani sot është kthyer në stërvitje, ka pasur një dëmtim në shpatull. Pra, sot ishte stërvitja e tij e parë me grupin.

Po fitoni në frymën e fundit, a druheni se fati mund t’iu kthehet kundër?

Fati është pjesë e rëndësishme e kësaj loje. Po e përsëris sërish, duhet të jemi të kujdesshëm për t’i mbyllur ndeshjet duke shfrytëzuar rastet që krijojmë. Ndaj Teutës shpërdoruam shumë, por arritëm të shënojmë në fund. Edhe ndaj Laçit patëm shumë se tre raste flagrante, por goli i fitores erdhi në fund fare. Normalisht na shkon përshtat që një në dy raste të jetë gol, jo të shpërdorojmë dhe vuajmë kaq shumë.

Në Shkodër e dominuat Vllazninë edhe me 10 lojtarë, mos ndoshta do ta keni më të lehtë kësaj radhe në shtëpi?

Ndoshta aktivizohet ai mekanizmi që me 10 lojtarë të gjithë shtrëngohen më shumë, por ka qenë edhe e kundërta, ku me 10 lojtarë ishte Erzeni dhe ne vuajtëm akoma më shumë. Mendoj se ajo ka qenë një nga ndeshjet më të mira që ka bë Partizani në këtë kampionat, për mënyrën si e kontrolloi fushën, topin. Shpërdoruam raste që duhet të ishin në favorin tonë. Dua të përmend rastet e dy sulmuesve tanë, Bintcuka dhe Mba, që u evituan nga portieri shkodran. Ishte një ndeshje e sistemuar, që tregonte me të vërtetë një ekip të matur. Do të doja dhe uroja që konsolidimi në ndeshjen e radhës të jetë akoma më i madh, ashtu si agresiviteti dhe dëshira për fitore. Të vazhdojmë ecurinë e rezultateve pozitive dhe konsolidimin. Pres që kualitetet e ekipit të jetë në nivel akoma më të lartë.

Skema e re mund të jetë një disfavor, duke ditur se po merrni fitore radhazi dhe kryesoni bashkë me Egnatian…

Në fund do të bëhen llogaritjet sa i përket skemës së re. Ne bëjmë atë që kemi detyrë për të bërë. Normlish, një skuadër nuk mund të ndizet dhe fiket me pult. Një skuadër duhet të bëjë gjithnjë maksimumin dhe t’i fitojë të gjitha ndeshjet që ka mundësi t’i fitojë. Partizani futet në fushë për të fituar ndeshjen e radhës dhe ky është fokusi ynë. Llogaritë bëhen në fund, për mirë apo për keq. Një ekip që në 36 javë krijon një shkëputje të konsiderueshme falë forcës, fuqisë, potencës dhe të jetë e diskutueshme në një ndeshje, edhe kjo nuk është mënyra më e mirë. Pra, primare mbetet ndeshja e radhës dhe trepikëshi i radhës, të tjerat janë hipoteza.

A ju motivojnë edhe fitoret radhazi të Egnatias?

Patjetër, pasi flasim për një ekip që është kualitativ. Patëm mundësi që ta shikojmë edhe të shtunën, kur fitoi ndeshjen e radhës me Erzenin. Natyrisht që përbëjnë motivim, pasi rrogozhinasit janë rivalët tanë direktë, na japin shtysë akoma më të madhe për të bërë mirë dhe qëndruar me të njëjtin ritëm. Nëse arrijmë të nxjerrim më të mirën e njëri-tjetrit është një gjë që u bën mirë të dyja skuadrave.

A do ta ketë Partizani trajnerin e ri para grumbullimit të kombëtareve, në mënyrë që t’i jepet kohë të njohë skuadrën?

Kjo është një pyetje retorike, që vazhdon të bëhet prej disa javësh. Shpresojmë që po, pasi do të ishte një hapësirë kohe ndoshta edhe për të kuptuar deri-diku ekipin. Është një gjë që nuk e llogarisim dot.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd