
Xavi Hernández kërkon maksimumin nga të tijtë në ndeshjen e sotme kundër Real Sociedad. Trajneri katalanas siguroi se tashmë e kanë kapërcyer mllefin për humbjen ndaj Real Madridit. Ai ngushëllohet me rikthimin e Pedrit nga dëmtimi:
"Na pret një test i nivelit të lartë, kundërshtari është i nivelit të Champions-it. Ata i bëjnë gjërat shumë mirë, në mbrojtje, sulm, luajnë me intensitet… Imanol është një nga trajnerët më të mirë, luan futboll shumë të mirë. Pas humbjes ndaj Real Madridit, skuadra ka bërë një hap përpara në stërvitje. Duhet të reagojmë".
Mbi fjalët e Gündogan, pas humbjes në "El Clasico": "Nuk kam parë kurrë konformitet, nuk është në ADN-në e Barçës. Ne jemi për përsosmëri dhe për të fituar. Nuk kemi pasur polemika për shkak të fjalëve të tij, përkundrazi jemi dakord me të.
Humbëm për shkak të gabimeve tona, shkëputjes së reparteve dhe shpërqendrimit. Mendojmë si Gündo, nuk ka polemika në dhomat e zhveshjes. Edhe ai vetë e ka sqaruar".
Për Pedri: "Kthimi i tij nuk është i vonuar, këto janë afatet. Është një lajm shumë i mirë që tashmë është me ekipin. E shoh të përgatitur, rikthimi i tij është një lajm i madh".
Situata e Frenkie de Jong: "Do të kthehet në varësi të ndjenjave të tij. Pedri ka ndjenja shumë të mira, Frenkie ende jo. Ai është përpjekur, por ka ende dhimbje".
Xavi i kthehet sërish humbjes në "El Clasico": "Ne luajtëm mirë, humbëm një ndeshje që e kishim nën kontroll. Nuk i zotëruam detajet dhe për këtë arsye humbëm. Zemërimi, zemërimi, inati… Shyqyr zotit që nuk ishte një ndeshje e Ligës së Kampionëve. Ka kohë për ta korrigjuar gabimin".