Transmetuar më 04-11-2023, 09:59

“Mendoj se është krejt normale dhe korrekte të konsiderohet si humbje barazimi me Napolin. Me avantazhin e dyfishtë, duke luajtur si në pjesën e parë, është e arsyeshme të prisnim fitoren, por nuk ndodhi kështu”.

Stefano Pioli, në funksion të ndeshjes kundër Udineses, analizon barazimin e fundit të të tijve: "Ishte turp për ne si e pësuam atë gol në fillimin e pjesës së dytë, që i dha vrull Napolit, por kjo është e kaluara tani. Ne jemi Milani dhe duhet të përpiqemi të fitojmë çdo ndeshje".

Në funksion të ndeshjes së sotme, Pioli do të hedhë në fushë formacionin më të mirë të mundshëm me synimin për t’u rikthyer në rrugën e fitoreve. Pastaj do të ketë kohë për të menduar rreth Champions League dhe Lecce:

"Të bëjmë mirë sot është shumë e rëndësishme. Loftus-Cheek është rikuperuar, do të jetë në dispozicion. Pulisic nuk është rikuperuar, por do të jetë gati për të martën, bashkë me Chukwueze. Ka mundësi të mira edhe për Kjaer.

Unë jam i sigurt për një gjë: kurrë nuk kam stërvitur një grup kaq solid lojtarësh, koheziv, kompakt, të etur dhe të disponueshëm. Nuk e kam pasur të tillë as në vitin e titullit. Dhe mos harroni se u formua në një kohë të shkurtër.

Stërvis një grup fantastik, ndaj duhet të përfitojmë prej tij. Na nevojitet vetëm përqendrim për përmirësimin e paraqitjeve. Nuk është dramë të jesh tri pikë larg nga vendi i parë sot.

Rikthimi i Ibrahimovic? Nuk e di, nuk e di… Mund të them që në Milanello punoj me shumë njerëz. Flas çdo ditë me Furlani dhe Moncada, klubi është i strukturuar për ta mbështetur trajnerin dhe lojtarët.

Pastaj, nëse klubi dhe Zlatan vendosin për situata të tjera, janë të mirëseardhura. Të gjithë e dini marrëdhënien që kam me Ibrën, ndaj nuk do të kishte probleme. Klubi gjithmonë më vendos në një pozicion që ta bëj punën time në mënyrën më të mirë, nuk mund të kërkoj më shumë se kaq".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd