
Luciano Spalletti hap dyert për një takim të mundshëm me Francesco Tottin. Ndarja mes të dyve, pas marrëdhënies së ndërlikuar të viteve të fundit te Roma, tashmë është "varrosur".
Pas fjalëve të ish-kapitenit verdhekuq, i cili u hap për pajtim në një intervistë për "Corriere della Sera", tashmë ka ardhur edhe përgjigja e trajnerit të kombëtares italiane.
“Sigurisht kishte një periudhë, – deklaroi Spalletti, – në të cilën nuk munda ta bëja të kuptonte se nuk pushova kurrë së përqafuari, se do doja ta kisha gjithmonë me vete”.
Kjo ishte përgjigja ndaj Tottit, i cili tha: "Nëse do ta takoja Spalletti, do ta përshëndesja me dashuri, do të isha i lumtur. Besoj se ka një lidhje të thellë mes nesh".
Trajneri i kombëtares axurre i bëri edhe propozim Tottit për një takim të mundshëm: "Përpara ndeshjes së radhës në ‘Olimpico’ do të shkoj të vizitoj disa miq që kemi të përbashkët në ‘Bambin Gesù’, mund të jetë një mundësi e mirë t’i vizitojmë së bashku".
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





