
Mot i keq në Itali. Stuhitë e shiut kanë goditur Toskanën dhe zonën e Firences, mbrëmjen e kësaj të enjte.
Shqiptarët që jetojnë në këto dy qytete italiane raportojnë për situatën dramatike për shkak të reshjeve intensive dhe përmbytjeve.
Pamjet që kanë siguruar shqiptarët tregojnë lumin Bisenzio duke marrë me vete dhjetëra makina, si të ishin lodra.
Ndërkohë mediat italiane raportojnë se lumi Bisenzio ka dalë nga shtrati duke vërshuar rrugëve të qytetit. Bashkitë e prekura nga reshjet e shumta janë: Scandicci, Barberino del Mugello, Barberino Val D’elsa, Borgo San Lorenzo, Castelfiorentino, Certaldo, Empoli, Fiesole, Figline Valdarno, Firence, Fucecchio, Impruneta, Londa, Montaione, Pontaseria Scar, Sesto Fiorentino, Vinci.
Në Montemurlo, një 85-vjeçar është gjetur i vdekur në shtëpinë e përmbytur. I moshuari ishte i shtrirë në ujë, në dhomën e përmbytur plotësisht. Ekipet e shpëtimit kanë dyshime se i moshuari nuk ka mundur të arrijë në katet e sipërme dhe është mbytur, por vetëm një ekzaminim më i thelluar do të sqarojë shkaqet e vdekjes.
Nesër, e premte 3 nëntor, shkollat do të mbyllen në disa komuna, përfshirë Campi Bisenzio dhe Sesto Fiorentino. Administrata ka urdhëruar mbylljen e Ponte alla Rocca dhe Ponte a Capalle, si dhe mbylljen e të gjitha aktiviteteve tregtare dhe jo-tregtare. Gjithashtu, qytetarët janë këshilluar që të mos udhëtojnë fare, të qëndrojnë në katet e sipërme dhe të mos zbresin në bodrume apo garazhe.
Në sallën e operacionit të zjarrfikësve kanë mbërritur disa kërkesa për ndërhyrje, për sigurinë e degëve të pasigurta dhe pemëve të pasigurta dhe të rrëzuara, dëmtime në çatitë e ndërtesave dhe zjarre në panelet elektrike.
Video JOQ
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





