
TIRANË- Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka zbardhur një takim të kryeministrit Edi Ramës dhe drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, i mbajtur rreth 1 muaj e pak më herët. I ftuar në ‘Çim Peka Live’ në Syri Tv, Bardhi u shpreh se ishte Rama, ai që kërkoi të takonte Dumanin në rrugë jo zyrtare, por ky i fundit e refuzoi këtë takim. Po ashtu Bardhi u shpreh se, Dumani e ka takuar Ramën së bashku me një përfaqësues të shërbimeve inteligjente, vetëm pasi mori përgjigje për arsyen e takimit.
"Rreth 1 muaj, apo 1 muaj e gjysëm, Edi Rama e ka thirrur në një takim, drejtuesin e SPAK, Altin Dumani. Kam burim të dorës së parë. Dumani ka refuzuar takimin me kryeministrin. Ka informuar shërbimet partnere që Rama kërkon të takojë drejtuesin e SPAK. Nën këshillimin e shërbimeve partnere, i ka kërkuar motive dhe arsyet zotit Rama, për takimin që kërkonte me zotin Dumani. Dhe pasi i është dhënë një shpjegim, që kryeministri dëshironte të mbështeste me fonde SPAK, ka shkuar atje së bashku me një përfaqësues të shërbimeve inteligjente, sipas informacioneve që kam unë. Kjo tregon një integritet të caktuar, sepse nuk është e ndaluar që drejtuesi i SPAK, të takojë zyrtarisht kryeministrin e vendit. Por ajo që i kishte tërhequr vëmendje Dumanit, ishte se takimi ishte kërkuar në rrugë jo zyrtare, por në rrugë informale dhe për këtë arsye kishte ndjekur këtë rrugë, që për mua më krijon besimin e një njeriu me integritet. A do jetë edhe kështu në vijim, nuk di të them", u shpreh Bardhi.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





