
Durrës – Një burrë në moshë të thyer është suluar sot nga dy qen të tërbuar në lagjen 13 në zonën e plazhit në Durrës, raporton noa.al.
Banori i zonës, me iniciale H.B., rreth 84 vjeç, ka qenë duke ecur në rrugë, kur dy qentë e llojit “Pit bull” e kanë sulmuar agresivisht, tregojnë dëshmitarët.
Policia tha se ngjarja ndodhi pasditen e sotme, në lagjen nr. 13, kur shtetasi H. B., 84 vjeç, është sulmuar në rrugë, nga 2 qen të llojit pitbull.
Si pasojë, 84-vjeçari është dëmtuar dhe është dërguar në spital, ku po merr asistencë mjekësore.
Është e paqartë kush kishte nxjerrë në rrugë publike këta qen që dihet se janë agresivë, pa mbrojtje në gojë që mos kafshojnë njerëz.
Shërbimet e Policisë vijojnë punën për identifikimin dhe procedimin penal të shtetasit/sve përgjegjës për qentë.
Ndërkaq, grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. /noa.al