Duket se puna e “call-center” të paligjshëm vijon në kryeqytet ku së fundmi një 30-vjeçar është arrestuar në Tiranë pasi akuzohet për veprën penale të mashtrimit kompjuterik.
Sipas hetimeve i riu i shpallur në kërkim nga SPAK dyshohet se mashtronte shtetas të huaj duke i bindur të investonin në kriptovaluta shuma të ndryshme parash që më pas i merrte vet.
Operacioni i koduar “Team” vuri në pranga 30-vjeçarin M.D. banues në Tiranë.
Mbi të riun rëndon akuza e mashtrimit kompjuterik të kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal.
“Ky shtetas është shpallur në kërkim pasi Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka mashtruar shtetas të huaj, duke i bindur që të investojnë në kriptovaluta, shuma të ndryshme parash, të cilat më pas i kanë përvetësuar.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njoftuan blutë e kryeqytetit.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd