Transmetuar më 02-11-2023, 09:01

"Spalletti? Ai ka treguar edhe një herë se është trajner i madh. Nëse do ta takoja, do ta përshëndesja me dashuri, do të isha i kënaqur. Besoj se ka një lidhje të thellë mes nesh". Kështu, Francesco Totti, në intervistën e gjatë dhënë për “Corriere della Sera”, i zgjat dorën ish-trajnerit të tij dhe shton:

"Gjithashtu, sepse ajo që kemi kaluar bashkë, kur ai erdhi nga Udine, është për mua, në jetën time, diçka e papërsëritshme, në fushë dhe jetën e përditshme. Unë dilja me të për darkë një ose dy herë në javë. Luciano ishte një person i këndshëm, i qeshur, i sinqertë.

Në fazën e fundit marrëdhënia jonë nisi të kushtëzohej nga jashtë, veçanërisht nga menaxherët ose konsulentët e klubit, dhe nuk u kuptuam mirë. Edhe unë kam bërë gabime, Zoti na ruajt. Besoj se të dy, po të ktheheshim, nuk do të kishim më konflikt".

Për ndarjen me Ilary: "Ne të dy kaluam 20 vite bashkë, me shumë momente vërtet të bukura. Tani do të doja vetëm të gjenim një ekuilibër mes nesh, në mënyrë që të mbrojmë fëmijët, të cilët janë arsyeja më e madhe për ne të dy. E di që nuk është e lehtë, por ajo që kemi ndarë bashkë për shumë vite ishte e rëndësishme. Nëse ne të dy e gjejmë këtë ekuilibër, fëmijët do të jenë mirë dhe do të ndihen të mbrojtur".

Totti dhe Mourinho te Roma? Ja si e mendon ish-kapiteni verdhekuq: "Sigurisht, me një rol të përcaktuar, do ta doja, për arsyet që thashë më sipër. Edhe me Mourinhon do të doja të bashkëpunoja, sepse është numri një, e respektoj shumë. Më vjen keq që nuk kam qenë lojtar i tij në karrierën time. Te Roma e dinë që nëse kanë nevojë për mua, për gjëra serioze, jam i lumtur të jap një dorë. Ndryshe, mbetemi miq si dikur”.

Totti i rikthehet edhe asaj, se si përfundoi karrierë e tij futbollistike me Romën: "Kam kaluar 30 vite te Roma. Tregova respekt për të gjithë, hoqa dorë nga pagat e tjera, pa i llogaritur. I thashë jo Real Madridit dhe të tjerëve, sepse e doja atë fanellë, vetëm kaq. Fanella verdhekuqe është stampuar brenda meje. Më erdhi keq si përfundoi historia ime me Romën. E vërteta është se kur nuk je më i nevojshëm në futboll, nuk gëzon më respekt. Nëse Maldini, Del Piero, Baggio janë jashtë futbollit, kjo do të thotë diçka, apo jo?

Çfarë më mungon nga futbolli? Gjithçka. Kampi stërvitor, dhomat e zhveshjes, fanella, dhoma e masazhit. Futbolli ishte jeta ime. Më mungon lokali dhe kafeja me shokët e mi, udhëtimi me autobus nga Trigoria në stadium. Më mungon rutina që ma ndikoi jetën për dekada.

Kur mbaroi karriera si futbollist, ditët e mia ishin të zbrazëta. Më pas u ndjeva vetëm. Nuk e mendoja se do të më dhembte aq shumë ndalimi i asaj jete të planifikuar. Nuk e pranoja dot ndarjen nga futbolli”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd