Një kamion është sekuestruar në Vlorë pasi dyshohet se ishte mbushur me mallra kontrabandë teksa në pranga kanë rënë 2 persona.
Operacioni i koduar “Tranzit 2” bëri të mundur sekuestrimin e rreth 30 mijë eurove mallra(veshje, çanta, këpuçë, produkte kozmetike) dhe prangosjen e dy shtetasve.
Forcat blu njoftuan se kanë nisur hetimet për kapjen edhe 2 punonjësve të doganës së Kakavijes që dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën duke lejuar që kamioni me mallra të futej në kufirin tonë.
“Si rezultat i këtij operacioni, u vunë në pranga shtetasit O. Gj., 35 vjeç, dhe R. S., 47 vjeç, banues në Vlorë.
Këta dy shtetas u kapën në flagrancë, në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Nartës”, teksa transportonin me kamion, me qëllim shitjen, mallra të ndryshme, të papajisura me faturat tatimore apo me deklaratat e origjinave, me vlerë 30 000 euro. Mallrat dyshohet se janë kontrabanduar nga Greqia në vendin tonë, duke kaluar nga pika doganore e PKK Kakavijë, pa kryer procedurat e zhdoganimit.
Mallrat u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, së bashku me kamionin.
Në vijim të veprimeve procedurale u bë shpallja në kërkim për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Kondrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”, e shtetasve I. H., 40 vjeç dhe A. S., 38 vjeç, të dy me detyrë doganier në PKK Kakavijë” njoftoi policia e Vlorës.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd