Transmetuar më 01-11-2023, 10:48

"Ibrahimovic-Milan, po, por me çfarë roli? Suedezi nuk pranon të rikthehet vetëm si imazh", – shkruan “Corriere dello Sport”. Për më shumë se dy muaj, Milani ka biseduar me ish-sulmuesin Zlatan Ibrahimovic në kërkim të një zgjidhjeje, qoftë edhe me takime të përsëritura, për ta rikthyer në Milanello një figurë si ajo e suedezit.

41-vjeçari ka shumë aktivitete ekstra-futbolli dhe po vlerëson me qetësi se çfarë të bëjë në të ardhmen. Pyetja që shtrohet është e tillë: Në çfarë roli do të kthehej Ibra te Milani? Gazeta sportive italiane, e cituar më sipër, përgjigjet:

“Zlatan do të pranonte vetëm një rol operacional, ku mund të vendosë dhe thotë fjalën e tij për çdo aspekt të skuadrës. Ai nuk do të pranojë një rikthim te kuqezinjtë pa e vënë fytyrën e tij, nuk do të jetë thjesht si imazh”. Dyert e Milanit janë të hapura për të, mbetet të shihet se çfarë roli do të ketë ish-sulmuesi i shquar në hierarkitë drejtuese të “Djallit”.

Ndërkohë, në komentin e tij të radhës për “Gazzetta dello Sport”, Arrigo Sacchi ka nëvizuar: “Shumë parashikojnë një duel Inter-Juve për titullin, por unë besoj se Milani, të paktën nga ajo që pashë të dielën në mbrëmje në Napoli, është plotësisht në garë.

Pas dy humbjeve kundër Juventusit dhe PSG-së, kuqezinjtë patën forcën dhe guximin për të reaguar. Kundër Napolit patën një pjesë të parë të shkëlqyer, në të cilën mund të kishin shënuar të paktën tre ose katër gola. Në pjesën e dytë, pavarësisht gabimit që riktheu kundërshtarin në lojë, Milani u përpoq me cilësi teknike dhe forcë morale që të mos çedonte.

Duke parë kalendarin, kuqezinjtë kanë një rrugëtim më komod përpara se Interi dhe Juventusi, të cilët ndër të tjera do të luajnë kundër njëri-tjetrit dhe për këtë arsye do t’i heqin pikë njëri-tjetrit. Megjithatë, ajo që duhet t’i qetësojë tifozët e Milanit është aftësia e grupit për të reaguar.

Klubi po tregon se është shumë pranë trajnerit, po e mbështet dhe këtë duhet të bëjë, nëse dëshiron të arrijë suksese të rëndësishme. Uniteti është forca më e madhe; kurrë si në këtë rast, proverbi nuk përshtatet në mënyrë të përsosur".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd