Transmetuar më 01-11-2023, 09:53

Lothar Matthaus nuk përmbahet. Ish-futbollisti i Interit dhe fituesi i "Topit të Artë" në vitin 1990 kritikoi ashpër triumfin e Lionel Messit në fund të ceremonisë së ndarjes së çmimeve, e cila u mbajt në Paris.

Legjenda gjermane shprehu zhgënjimin e tij për zgjedhjen, duke ia dhënë çmimin për herë të tetë futbollistit argjentinas, fitues i Kupës së Botës në Katar me Albiceleste dhe që kaloi në verë tek Inter Miami në MLS.

Për Matthaus, fituesi i çmimit duhej të ishte dikush tjetër, Erling Braut Haaland, autor i një sezoni të jashtëzakonshëm me Manchester City, i cili kulmoi me fitoren e Ligës së Kampionëve në Stamboll kundër Interit, pasi kishte fituar tashmë titullin e Premier League dhe "FA Cup".

Suksese në të cilat Haaland ishte vendimtar, me një sezon të mbyllur me më shumë gola të shënuar se ndeshjet e luajtura dhe një mesatare prej mbi një goli për ndeshje. Lothar Matthaus nuk e "kafshoi gjuhën" për "Sky Deutschland" kur u pyet rreth mendimit të tij për "Topin e Artë", që iu dha Lionel Messit: "Fitore e pamerituar, kjo është dëshmi se Kupa e Botës ka më shumë rëndësi se çdo gjë”.

Më pas gjermani shtoi: “Votimi për ‘Topin e Artë’ është një farsë, edhe pse unë kam qenë gjithmonë tifoz i Messit. Gjatë gjithë vitit Haaland ka bërë më mirë se Messi. Për mua askush nuk bëri më mirë se Haaland, ai ishte më i miri në 12 muajt e fundit. Ai fitoi tituj të rëndësishëm me City, duke vendosur rekorde si golashënues”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd