Transmetuar më 31-10-2023, 14:29

Historitë e mëdha sportive zakonisht ndërtohen nga rivalitete të thella. Rrëfimi që ka shoqëruar sukseset e Messit (36 vjeç) nuk do të kuptohej njësoj pa Cristiano Ronaldon (38 vjeç) dhe anasjelltas. Të dy kanë qenë të përfshirë në një rivalitet sa epik, aq edhe historik, që e ka lartësuar karrierën e tyre. Futbolli ka përfituar shumë nga dy yje kaq antagoniste, por të bashkuar nga një sens konkurrues i lojës bukur.

Pas të 30-ave, të dy vazhduan luftën edhe me kohën (moshën), tashmë e kanë zhvendosur fokusin e tyre në kompeticione si MLS dhe Liga Pro Saudite. Messi dhe CR7 janë ende dominues, secili në mënyrën e vet, por “Topi i Artë” nënvizoi ndryshimin e paradigmës. Ndërsa argjentinasi fitoi “Topin e Artë” për vitin 2023, i teti në karrierën e tij, Cristiano nuk ishte as në mesin e 30 të nominuarve, diçka që nuk kishte ndodhur për gati 20 vite.

Portugezi vazhdon të regjistrojë statistika të jashtëzakonshme si futbollist: 43 gola dhe 11 asiste në vitin 2023, por ndjesia është se janë numra që nuk mund t’i transferojë më në elitë, pavarësisht disa paraqitjeve të jashtëzakonshme me Portugalinë. Messi, nga ana tjetër, tregoi në Botërorin e fundit, po shihet edhe në ndeshjet kualifikuese të “Copa América”, se mbetet në tryezën e më të mëdhenjve, në historinë e këtij sporti.

Argjentinasi ishte fituesi i madh i edicionit të fundit të “Topit të Artë”, së bashku me Aitana Bonmatí. Me këtë rast, ai kujtoi Cristianon në një intervistë për “L’Équipe”: “Mes nesh ka qenë gjithmonë një betejë shumë e bukur sportive. Reciprokisht, ne ushqeheshim me njëri-tjetrin, sepse të dy jemi shumë konkurrues. Edhe ai, gjithashtu dëshironte gjithmonë të fitonte gjithçka.

Ishte një kohë shumë e bukur për ne dhe për njerëzit që e duan futbollin. Ai ka shumë merita për atë që bëmë për kaq shumë kohë, sepse, siç thonë njerëzit, gjëja e lehtë është të arrish në majë, por gjëja më e vështirë është të qëndrosh atje.

Ne qëndruam në krye për 10 ose 15 vite dhe ishte diçka shumë e vështirë për t’u mbajtur. Mendoj se kemi bërë diçka spektakolare, rivaliteti ynë do të mbetet si një kujtim i bukur për të gjithë botën që e shijon futbollin”.

Portugezi, i cili ka pesë “Topa të Artë”, ishte mungesa e madhe në gala-në e fundit të Parisit. Në rrjete, shumë njerëz pyesnin se ku ishte CR7. Mungesa e tij ishte një paralajmërim i kohëve të reja. Ata që do të vijnë, Mbappé dhe Haaland, dhe ai që refuzon të largohet: Leo Messi.

Lionel Messi i ka dhënë fund debatit të madh të futbollit në 12 muajt e fundit. Duke ngritur Kupën e Botës në Katar, superylli argjentinas bëri diçka që rivali i tij, Cristiano Ronaldo, nuk e arriti dot kurrë. Kryesisht për shkak të kësaj arritjeje, triumfit në “Katar 2022”, ai mori të tetin “Top të Artë” në Paris, të hënën mbrëma, për ta zgjeruar epërsinë ndaj Ronaldos kur bëhet fjalë për çmimin individual më prestigjioz të futbollit.

Në këtë pikë, verdikti është goxha unanim se Messi është më i madhi i të gjitha kohërave. Për vite me radhë, ky debat është përqendruar tek ai kundër Ronaldos. Ndërsa Ronaldo nuk u emërua as në listën e 30 kandidatëve për edicionin e radhës, insinuata nuk mund të injorohet, kur Messi u pyet nëse beson se është lojtari më i mirë i të gjitha kohërave.

Në mënyrë tipike diplomatike, besnik ndaj deklaratave të tij të mëparshme për “Topin e Artë”, ai thjesht refuzoi t’i përgjigjej kësaj pyetjeje në konferencën për shtyp.

“Nuk e di nëse jam më i miri, – ka thënë Messi për “L’Equipe”. – Nuk ia bëj vetes këtë pyetje dhe nuk më intereson. Fakti që thonë se jam një nga më të mirët është tashmë një nder. Të gjithë fëmijët duan të luajnë futboll dhe përpiqen të jenë një nga më të mirët”.

Përgjigja tipike e përulur e Messit erdhi pasi ai refuzoi ta krahasonte fitimin e të tetit “Top të Artë” me të tjerët më parë. Ai këmbënguli se çdo çmim mbetet i veçantë për arsyet e veta:

“Çdo ‘Top i Artë’ është i veçantë. Kam pasur suksese të jashtëzakonshme te Barça, por shpërblimet që kam marrë falë Argjentinës janë edhe më të mëdha. Fitimi i Kupës së Botës ishte një çmenduri, shpresoj që ta fitojmë sërish edicionin e ardhshëm”.

I pyetur nëse ishte viti më i mirë i karrierës së tij, Messi shtoi: “Nuk e di, por ishte ndryshe nga të tjerët. Isha në gjendje të luaja në skuadrat më të mira në botë, të fitoja Ligën e Kampionëve, Kupën e Amerikës, por Kupa e Botës është vërtet e veçantë. Ishte e vetmja gjë që më mungonte, më e rëndësishmja, e ëndërroja që kur isha fëmijë. Është shumë e rëndësishme në Argjentinë dhe unë e pata këtë shans”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd