Transmetuar më 31-10-2023, 12:05

Vlorë- Një 18-vjeçar është arrestuar në Vlorë nën akuzat e shitjes së lëndë narkotike, armëmbatjes pa leje si dhe vjedhjes.

Gjatë operacionit “Tempulli” në shkallë kombëtare së fundmi ka rënë në pranga një 18-vjeçar që shiste dozat e kanabisit, vidhte pajisje elektronike dhe posedonte armë zjarri, armë të ftohta dhe municion luftarak teksa janë proceduar penalisht edhe 3 shokët e tij për moskallëzim krimi.

Gjatë arrestimit të të riut në afërsi të një shkolle u sekuestruan doza kanabisi të gatshme për shitje, ndërkohë që në banesën e tij u gjetën 1 armë zjarri automatik, municion luftarak, 1 mjet prerës (thikë), 1 përforcues grushti dhe dhjetëra pajisje elektronike të dyshuara të vjedhura (laptopë dhe aparate celulare).

Gjithashtu në vijim të këtij operacioni, forcat blu njoftojnë se janë proceduar penalisht për moskallëzim krimi, 3 shtetas të tjerë, njëri prej të cilëve fshihte në banesë, sende të vjedhura nga 18-vjeçari.

“Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një shtetas 17 vjeç, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij, Policia gjeti sende të tjera të dyshuara të vjedhura nga 18-vjeçari i arrestuar, një sasi fishekësh luftarak si dhe një përforcues grushti. Procedimi në gjendje të lirë nisi edhe për shtetasit K. D., 25 vjeç dhe R. B., 21 vjeç, pasi bashkë me 17-vjeçarin, kanë qenë në dijeni të veprimtarive kriminale të shtetasit A.S., por nuk kanë kallëzuar”, njoftoj Policia.

Në vijim materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.