Transmetuar më 30-10-2023, 21:01

Pas datës 15 Nëntor Inspektoriati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut do të ushtrojë kontroll për zbatimin e ligjit të informimit të konsumatorit te prodhuesit dhe njësitë tregtarë të bukës.

Shoqata e prodhuesve të Bukës, Pastiçerisë dhe Brumërave u ka kërkuar furrave të bukës vendosjen e etiketave treguese për çdo lloj buke, duke shpjeguar llojin e bukës, peshën konkrete dhe çmimin e shitjes. Etiketat duhet të vendosen në raftet poshtë çdo lloj buke.

Gjithashtu në ambientin e furrës duhet jetë dhe një listë, në formatin A4, që do të informojë klientin me çmimin e shitjes për 1 kg për çdo lloj buke.

“Subjektet e prodhimit dhe tregtimit të bukës janë të detyruara që në zbatim të neneve 7, 8, 9 të ligjit 9902/2008 “Për mbrojtjen e konsumatorit” i ndryshuar të paraqesin në formë grafike (etikete) ose në formën e një liste të përgjithshme çmimin për 1 kg bukë të ço lloji që subjektet tregtojnë në çdo raft. Subjektet në zbatim të neneve 7, 8, 9 të ligjit 9902/2008 “Për mbrojtjen e konsumatorit” i ndryshuar të paraqesin në formë grafike (etikete) e cila qëndron në çdo raft, sasinë e masës së bukës në gram dhe sasinë e lekëve që kushton kjo bukë (në lekë) dhe që i korrespondon çdo copë produkti në atë raft. Çdo subjekt është i detyruar të ketë instrument matës (peshore) të verifikuar nga DPM në ambientet ku kryhet transaksioni me konsumatorin”, thuhet në njoftimin e ISHMT dërguar shoqatës së prodhuesve të bukës.

Referuar ligjin për mbrojtjen e konsumatorit shkeljet e dispozitave të këtij ligji, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe ndëshkohen nga Inspektori i inspektoratit përgjegjës për mbikëqyrjen e tregut, për shkeljet e dispozitave të parashikuara në nenin 9 për treguesin e çmimit gjobë në masën 100,000 lekë dhe për shkeljet e dispozitave të parashikuara në nenet 7 për detyrimin e përgjithshëm të informimit dhe nenit 8 për etiketimin gjobë në masën 200,000 lekë.

Prej muajit mars 2022, çmimi i bukës masive vijon të jetë 100 lekë. Në periudhën 2021-2022, çmimi i bukës u rrit tre herë radhazi me një rritje totale prej 71%. Shtrenjtimi i parë nisi në muajin shtator të 2021, kur buka masive u tregtua 80 lekë, nga 70 lekë. Rritja e çmimit 14% u ndikua nga shtrenjtimi i miellit. Në mesin e muajit mars 2022, çmimi i bukës shënoi sërish rritje prej 20%, duke arritur në 100 lekë për copë, për shkak të shtrenjtimit të miellit pas nisjes së sulmeve të Rusisë në Ukrainë. Në disa rrethe, si: Korça, Pogradeci, Gjirokastra apo Saranda, për shkak të shtrenjtimit të kostove të transportit të miellit nga karburanti, çmimi i bukës masive arriti në 120.

Por nga 1 prilli 2022, mungesa e fuqisë punëtore solli rritje të çmimit 20% (nga 100 lekë, buka masive arriti 120 lekë) edhe në disa furra buke në qytetin e Beratit. Prodhuesit pohuan se janë të detyruar të rrisin çmimin, pasi kanë shtuar pagat e punonjësve./Monitor

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd