
FIFA ka vendosur të skualifikojë Luis Rubiales, ish-presidentin e Federatës Mbretërore të Futbollit Spanjoll (RFEF) me tri vite nga kryerja e çdo aktiviteti të lidhur me futbollin. Kjo u vendos nga Komisioni Disiplinor i FIFA-s për puthjen në buzë të Jenni Hermoso, pas finales së Botërorit për femra.
Me këtë vendim, Rubiales nuk mund të jetë më president i RFEF-së me regjimin e ri elektoral të Këshillit të Lartë të Sporteve (CSD). Ish-presidenti i RFEF mund të apelojë në Komitetin e Apelit të FIFA-s.
Vendimi i organit më të lartë të futbollit botëror vjen pas ngjarjeve të ndodhura gjatë festës së titullit botëror të Spanjës në Sidnei, ku Rubiales puthi në buzë Jenni Hermoso, pa pëlqimin e saj.
FIFA tashmë e kishte pezulluar përkohësisht Rubiales për 90 ditë nga të gjitha aktivitetet që lidhen me futbollin në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, ndërsa tani e zgjeron dënimin në tri vite, megjithëse Rubiales ka dhënë dorëheqjen nga pozicionet e tij në RFEF dhe UEFA.
FIFA e mbështet rezolutën e saj në zbatimin e nenit 13 të Kodit të saj Disiplinor: “Çdo person që sulmon dinjitetin ose integritetin e një vendi, një personi ose një grupi njerëzish duke përdorur fjalë ose veprime nënçmuese, diskriminuese ose poshtëruese (me çdo mjet) për shkak të racës, ngjyrës së lëkurës, origjinës etnike, kombëtare ose sociale, gjinisë, paaftësisë, orientimit seksual, gjuhës, fesë, pozicionit politik, fuqisë blerëse, vendlindjes ose për çdo status a arsye tjetër do të dënohen me pezullim të paktën 10 ndeshje ose një periudhë të caktuar, ose me çdo masë tjetër të përshtatshme disiplinore”, – thuhet në këtë nen.
Skualifikimi do të thotë se Luis Rubiales nuk mund të ketë asnjë lidhje me aktivitetin e futbollit federativ. Për shembull, nuk mund të organizojë një ndeshje apo të mbajë ndonjë pozicion në asnjë klub apo federatë.
Ja deklarata e plotë e FIFA-s: “Ish-presidenti i Federatës Mbretërore të Futbollit Spanjoll, Luis Rubiales, skualifikohet për tri vite nga ushtrimi i aktiviteteve që lidhen me futbollin.
Komisioni Disiplinor i FIFA-s ka skualifikuar Luis Rubiales, ish-president i Federatës Mbretërore të Futbollit Spanjoll (RFEF), nga kryerja e çdo aktiviteti në lidhje me futbollin për tri vite, si në nivel kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar, duke konsideruar se sjellja e tij ka shkelur nenin 13 të Rregullores disiplinore të FIFA-s.
Ky rast lidhet me ngjarjet që ndodhën gjatë finales së Kupës së Botës për Femra, më 20 gusht 2023, për të cilat z.Rubiales ishte pezulluar përkohësisht për një periudhë fillestare prej 90 ditësh.
Vendimi i Komisionit Disiplinor të FIFA-s i është njoftuar sot zotit Rubiales, i cili, në bazë të dispozitave të Kodit Disiplinor të FIFA-s, ka dhjetë ditë kohë për të kërkuar vendimin e arsyetuar, i cili do të publikohet në “legal.fifa.com” nëse kërkohet. Ky vendim mund të apelohet në Komitetin e Apelit të FIFA-s.
FIFA rithekson angazhimin e saj absolut për të respektuar dhe mbrojtur integritetin e të gjithë njerëzve dhe për të siguruar që rregullat bazë të sjelljes qytetare të respektohen”.