
Ndeshja e Ligue 1 mes Olympique Marseille të Gattusos dhe Lyon të Grosso është shtyrë. Jashtë stadiumit “Velodrome”, autobusi i ekipit mysafir u pengua disa herë përpara se të bëhej objekt i gjuajtjeve me gurë nga ultrasit vendas.
Pjesa e djathtë e mjetit ka pësuar dëmtime të mëdha, me disa xhama të thyer. Trajneri italian i OL, Fabio Grosso, u godit dhe u largua nga autobusi i gjakosur. Një problem me sytë pati edhe zëvendësi i tij, Longo.
Spikeri i “Velodrome” njoftoi 60 mijë shikuesit e pranishëm se ndeshja ishte shtyrë për një datë të mëvonshme pas incidenteve jashtë stadiumit. Gjyqtari Letexier zyrtarizoi vendimin: "Pas dëmtimeve të pësuara nga ekipi mik dhe duke marrë parasysh mendimin e OL, që nuk deshi ta fillonte lojën, kjo ndeshje nuk do të luhet. Do të përpilohen raportet përkatëse për autoritetet kompetente”.
John Textor, presidenti i Lyon, zbuloi: "Unë nuk kërkova që të anulohej ndeshja, drejtuesit e Ligës na thanë se do të flisnin me ekipin. Lojtarët tanë, kapiteni ynë, ishin të jashtëzakonshëm në dhomën e zhveshjes, ata donin të luanin. Ata ishin gati për të luajtur. Vendimi nuk varej nga ne, por erdhi kur ishim jashtë stadiumit”.

Rreth gjendjes së trajnerit Grosso, presidenti shtoi: "Ai është në gjendje shoku, nuk mund të fliste normalisht, kishte copëza xhami në fytyrë. Lojtarët tanë, trajneri ynë ishin përgatitur për këtë mbrëmje, tifozët donin të shihnin ndeshje futbolli e jo skena të tilla të rënda".
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





