Transmetuar më 29-10-2023, 16:49

Një konflikt për motive pronësie ka ndodhur ditën e sotme në Kepin e Rodonit.

Disa banorë të zonës janë përleshur me përfaqësues të Kishës Katolike.

Këta të fundit kishin ardhur në një vend për ta rrethuar pasi kishin çertifikata pronësie.

Por edhe banorët kanë pretenduar se për atë pronë kishin çertifikatë pronësie dhe këtu nisi sherri me sende të forta.

Disa persona janë shoqëruar në polici, ndërsa disa të tjerë kanë përfunduar në spital.

Policia njofton se në vendngjarje është gjetur dhe një gëzhojë arme zjarri.

Bëhet me dije se dikush nga banorët ka qëlluar me armë në ajër.

“Në zonën e Kepit të Rodonit, disa banorë të fshatit Shetaj, konkretisht shtetasit B. K., E. R., Y. R. dhe O. R. janë konfliktuar me sende të forta, me përfaqësues të kishës katolike, shtetasit N. S., M. F., M. L. dhe P. D.

Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se konflikti ka nisur gjatë kohës kur përfaqësuesit e kishës katolike po bënin rrethimin e pronës për të cilën kanë certifikatë pronësie. Banorët e zonës nuk i kanë lejuar që të bëjnë këtë rrethim pasi edhe ata kanë një certifikatë pronësie, që pretendojnë se e kanë po për këtë pronë.

Konflikti midis këtyre shtetasve ka agravuar me përdorimin e sendeve të forta, pas konfliktit me grushte. Në vendngjarje është gjetur dhe 1 gëzhojë arme zjarri.

Si pasojë e konfliktit me sende të forta kanë pësuar dëmtime të lehta disa nga shtetasit e përfshirë në konflikt, të cilët pasi kanë marrë ndihmë mjekësore, janë shoqëruar bashkë me shtetasit e tjerë të përfshirë në konflikt, me qëllim kryerjen e veprimeve për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për sqarimin dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit të sotëm.

Sqarojmë se në lidhje me pretendimet e palëve për certifikatën e pronësisë, nga ana e Policisë janë referuar disa herë materialet në Prokurori, për konfliktet që ka patur herë pas here, mes palëve.”, njofton policia.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd