
IRAN- Presidenti iranian Ebrahim Raisi ka komentuar zhvillimet e fundt në luftën Izrael-Palestinë. Ai shprehet se Izraeli kaloi vijat e kuqe që mund t’i detyrojnë të gjithë të ndërmarrin veprime.
"Krimet e regjimit sionist kanë kaluar vijat e kuqe, të cilat mund t’i detyrojnë të gjithë të ndërmarrin veprime. Uashingtoni kërkon nga ne që të mos bëjmë asgjë, por ata vazhdojnë t’i japin mbështetje të gjerë Izraelit. SHBA i dërgoi mesazhe Boshtit të Rezistencës, por mori një përgjigje të qartë për në fushën e betejës”, tha presidenti në një deklaratë në faqen e tij X (i njohur më parë si Tëitter).
Më herët, Raisi tha në një intervistë për Al Jazeera se Irani nuk do t’i vërë veshin paralajmërimeve të SHBA-së kundër ndërhyrjes në konfliktin palestinezo-izraelit, shkruan TASS.
Tensionet u ndezën përsëri në Lindjen e Mesme më 7 tetor kur militantët e grupit radikal palestinez Hamas organizuan një sulm të befasishëm në territorin izraelit nga Rripi i Gazës, duke vrarë banorë të vendbanimeve kufitare izraelite dhe duke marrë peng më shumë se 200, duke përfshirë fëmijë, gra dhe të moshuar. Hamasi e përshkroi sulmin e tij si një përgjigje ndaj veprimeve agresive të autoriteteve izraelite kundër xhamisë Al-Aksa në malin e tempullit në qytetin e vjetër të Jerusalemit. Izraeli ka njoftuar një bllokadë totale të Rripit të Gazës dhe ka kryer sulme ajrore në Gaza, si dhe disa pjesë të Libanit dhe Sirisë. Përleshje janë duke u zhvilluar edhe në Bregun Perëndimor.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





