Këtu jemi. Manuel Neuer është gati të rikthehet në fushë. Ditët e fundit u supozua se rikthimi i tij do të ishte gradual; 20 minuta në një ndeshje, gjysmë ore në tjetrën, deri në 90 minuta të plota. Realisht sot, kundër Darmstadt, ai do të jetë sërish në dispozicion, 331 ditë pas ndeshjes së fundit të luajtur. “Ai do të luajë nëse ndihet i gatshëm, – tha trajneri Tuchel. – Ai po rikthehet. Nëse asgjë nuk ndodh në stërvitje, do të luajë”.
Menjëherë pas Botërorit të Katarit, portieri i Bayernit dhe i kombëtares gjermane vendosi të shkojë me pushime në Alpe, ku donte të kalonte një javë ski. Megjithatë, gjatë skijimit u rrëzua, duke thyer tibian dhe fibulën. Duke pasur parasysh moshën e tij (ai do të shuajë 38 qirinj në mars), shumë dyshuan në fillim nëse mund të kthehej.
Kjo edhe sepse fillimisht u fol për një ndalesë prej vetëm gjashtë muajsh, por në fakt kaluan pothuajse dy herë më shumë kohë. Rreth 10 ditë më parë, Neuer dukej gati për t’u rikthyer. Ai kishte folur për 18 minuta me Tuchel, pastaj u vendos që të shtyhej përsëri rikthimi. Megjithatë, këtë herë duket se gjithçka është gati.
"Jam shumë i lumtur, Manuel sjell klasin dhe përvojën e tij në fushë. Paramendoj se është gjithashtu pak nervoz, por kjo duket normale. Megjithatë, besoj se së shpejti do të kthehet në nivelin e tij. Në stërvitje shoh një portier që i bën më të fortë mbrojtësit dhe gjithashtu kolegët e tij në rol.
Manuel është thjesht i një kategorie tjetër. Ai duhet të ndihet krenar sesi u rikuperua. Të gjithë ata që e ndihmuan në këtë drejtim duhet të jenë krenarë. Për mua, nëse dëshmohet se është mirë, do të rikthehet edhe në kombëtare”.
Disa gjëra në fakt kanë ndryshuar muajt e fundit. Neuer humbi shiritin e kapitenit në ekipin kombëtar (përfundoi në krahun e Gundogan) dhe ndoshta do t’i duhet t’i hapë rrugë Ter Stegenit. Kjo edhe për shkak se trajneri i ri i Gjermanisë, Nagelsmann, nuk ka një marrëdhënie të mirë me të.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd