Transmetuar më 28-10-2023, 09:18

Ndeshja e së shtunës në mbrëmje kundër Veronës paraqet një mundësi të shkëlqyer për Juventusin, i cili në rast suksesi do të ngjitej në krye të renditjes së Serie A për një natë, duke kaluar përkohësisht Milanin dhe Interin.

Bardhezinjtë janë të freskët nga fitorja e arritur në sfidën e fundit në “San Siro” ndaj Milanit, e cila pasoi suksesin në derbin e Torinos. Megjithatë, tashmë në të kaluarën, Juventusi ka dështuar në ndeshjet më të thjeshta në letër. Vetëm mendoni për barazimin e vështirë në shtëpi ndaj Bologna.

Me pak fjalë, është e ndaluar të nënvlerësohet kundërshtari. Gjithashtu sepse emergjenca mes mbrojtjes dhe mesfushës i redukton shumë zgjedhjet e Allegrit. Trajneri i rikthehet objektivit sezonal të Juventusit: "Askush nuk dëshiron t’i ikë fjalës titull.

Futbolli përbëhet nga momente dhe duhet të jemi realist. Po punojmë mirë, duhet të përmirësohemi gjithnjë e më shumë. Duhet të jemi të qartë se objektivi kryesor mbetet kualifikimi në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm”.

Allegri konfirmon rikuperimin e plotë të Chiesa dhe Vlahovic, por nuk është i sigurt se të dy do të luajnë titullarë: "Ne jemi të gjithë gati, Chiesa punoi mirë gjatë javës, Vlahovic tashmë ishte përpara tij me rikuperimin. Nuk kam vendosur nëse ata do të luajnë si startues. Përtej individëve, duhet të kujtojmë se është një ndeshje e rrezikshme dhe nëse nuk japim gjithçka mund të rrezikojmë objektivin, që janë tri pikët".

Trajneri ka besim të madh te lojtarët e rinj të disponueshëm për në mesfushë: "Nonge është një lojtar mjaft i ri, por që di të luajë futboll shumë mirë. Natyrisht, duhet të rritet ende në shumë gjëra. Nicolussi Caviglia e shoh më shumë përpara mbrojtjes, por është një djalë inteligjent dhe mund të luajë role të ndryshme. Do të vijë koha e tij".

Allegri nuk i beson Veronës, ndoshta prej frikës së uljes së përqendrimit nga të tijtë: "Kjo është një ndeshje më e vështirë për t’u përgatitur për sa i përket motivimit, nuk duhet të jemi sipërfaqësorë. Ky është një hap i rëndësishëm rritjeje për skuadrën.

Për t’i dhënë vlerë fitores në Milano, duhet të marrim tri pikët ndaj Veronës, përndryshe do ta çojmë dëm atë që kemi bërë. Të vendosesh në pozita të barabarta me kundërshtarin është një çështje respekti. Ndeshjet që duhet të fitosh janë ato që nuk konsiderohen si përplasje të drejtpërdrejta. Në to, nëse nuk ke respekt, e ndërlikon jetën tënde”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd