Transmetuar më 27-10-2023, 15:24

Në orën 16:15 të datës 28 tetor, bota (e futbollit) do të ndalet. Pikërisht në këtë orar do të startojë “El Clasico” e parë zyrtare e sezonit, Barcelona- Real Madrid. Distanca midis dy gjigantëve të La Liga-s në klasifikim është aq minimale, sa që mund ta zhbëjë kjo përballje, në rast të fitores së blaugranëve. Edhe pse në duele si ky, pak rëndësi ka klasifikimi momental. Nuk është një klishe, por realitet.

Ka rivalitete të lashta në të gjithë botën, por pak që e kalojnë atë në Barcelona-Real Madrid, që shkon përtej futbollit, pavarësisht atyre që duan ta shohin vetëm si një rivalitet sportiv. Lojtarët nuk e përjetojnë kështu, sidomos ata të dalë nga akademitë e dy klubeve (pra vendalinjtë), sigurisht edhe tifozët.

Xavi është shumë i qartë për këtë. “Është një nga rivalitetet më të mëdha në futboll. Me siguri, në Argjentinë do t’ju thonë se është River-Boca, në Seville është Betis-Sevilla, se derbi bask është ndeshja më e madhe në nivel klubesh.

Megjithatë, kur luhet ‘El Clasico’, e gjithë bota mban frymën, është në pritje të saj. Kjo është skena ideale për të bërë gjëra të mëdha. Këto janë përballjet që ne gjithmonë i kemi ëndërruar si fëmijë", – siguroi trajneri katalanas në konferencën për shtyp. Më tej, ai u shpreh për mjaft tema, kryesisht rreth kësaj supersfide.

Ndeshja – "Përfaqëson shumë. Është një klasik, të gjithë lojtarët në mbarë botën duan ta luajnë. Vijmë mirë, për sa i përket lojës dhe ndjesive, pas dy fitoreve. Kjo përbën nxitje për moralin dhe besimin. Kjo ndeshje është jetike për objektivi i fitimit të titullit. Duam ta shohim veten në krye të renditjes, të gjithë duan të luajnë. Jam i kënaqur me angazhimin e të gjithëve".

Të dëmtuarit – "Ata më befasuan edhe mua. Të gjithë duan të jenë atje, do të shohim nesër. Ndjenja është shumë e mirë. Lista do të zbulohet nesër. Fantastike është që të gjithë duan të jenë në dispozicion".

Lewandowski – “Nuk do të jap asnjë sugjerim për formacionin, por gjërat duken në rregull”.

Pedri – "Të gjithë duan të luajnë, por stafi nuk do të rrezikojë me askënd. Ai është i përkushtuar ndaj ekipit, do të shohim nesër".

Vinicius – "Ne kemi Cancelon për ta markuar brazilianin, pozicioni i tij natyral është mbrojtësi i djathtë. Ai është dinamik, i gjithanshëm…"

Formacioni – "Do të luajnë ata që janë më të mirët, që janë 100 për qind. Nuk mund të bëjmë gabim që të mos startojmë me ata që nuk janë 100 për qind".

Gil Manzano – "Kompjuteri ka zbuluar këtë gjyqtar, sa më pak të flasim për të, aq më mirë. Unë gjithmonë them se besoj në ndershmërinë e arbitrit, shpresoj në një gjykim sa më drejtë".

Real Madrid – "Ka ndryshuar, tani luan me dy sulmues. Vinicius dhe Rodrygo shquhen shumë, duhet t’i markojmë mirë ta. Pastaj Valeverde, Bellingham…, është një ekip i madh. Ka shumë virtyte që duhen minimizuar".

Favoriti – "Është 50-50, nuk ka pothuajse kurrë favorit në këtë përballje. Nuk mund të parashikosh asgjë. ‘El Clasico’ është gjithmonë e paparashikueshme".

Tifozët – “Monjuïc pritet të jetë plot. Është një ndeshje në të cilën tifozët nuk do të dështojnë”.

Qasja – "Të luajturit në shtëpi është një motivim më shumë. Ne po bëjmë shumë mirë në fushën tonë. Është një test shumë kërkues, si çdo klasike. Duhet të kontrollojmë mirë emocionet, të mos na rrëmbejnë”.

Ndryshime – "Nuk ka eksperimente. Real Madridi sulmon në një farë mënyre…, ndoshta do të ndryshojmë mbikëqyrjen. Duhet të jemi më të kujdesshëm me ta, por do të tregohemi të guximshëm. Nuk do të ndryshojmë as modulin dhe as filozofinë. Do të jemi të guximshëm dhe në kërkim të dominimit me topin”.

Faullet – “Ka një listë ekzekutuesish të faulleve, goditjeve nga këndi, penalltive… dhe duhet respektuar”.

Joao Felix – "Nesër është koha e duhur për të shënuar një gol. Ai përshtatet mirë me pozicionin. Është një ‘playmaker’ me liri, ka talent".

Të rinjtë – "Lojtarët e dalë në shtëpi janë një plus. Të kesh elementë nga ‘La Masia’ është fantastike, ata e dinë rëndësinë e ndeshjes. Është diçka thelbësore".

Pedri – “Nuk e dimë nëse i vë re ndeshjet e humbura, nuk e dimë nëse është ky kushti kryesor. Lëndimet janë multifaktoriale. Me Pedri nuk i vendosim afate vetes. Nuk ka problem as me Pedri, as me pjesën tjetër. I kam thënë doktorit se të gjithë duan të luajnë, nesër do të vendosim".

Debutimi në “El Clasico” – "Mbaj mend që kishte më shumë nerva, emocione… Është e vështirë sepse zemra është shumë e nxehtë, por koka duhet mbajtur e ftohtë.  Kontrolli është bazë".

Rivaliteti – "Është një nga rivalitete më të mëdha në futboll. Po ashtu janë River-Boca, Sevilla-Betis, derbi bask… por në nivel klubesh spanjolle, sigurisht është skena ideale".

Gavi – "Është pjekur shumë me ne, kontrolli i tij është i madh. Ai vendos pasion dhe shpirt në ndeshjet që luan, është thelbësor për këtë ekip".

Bellingham dhe Joao – "Anglezi është shumë i rëndësishëm për Real Madridin. Edhe Joao gjithashtu. Të dy mund të jenë vendimtarë për ekipet e tyre. Shpresoj që nesër do të jetë më shumë për Joaon".

“El Clasico” – “Dua të garoj, ta luaj, ta shijoj…, është një ndeshje shumë e rëndësishme. Nuk do të vendosë asgjë, por neve na pëlqen t’i luajmë ndeshje të tilla. Ancelotti? Nuk do të krijoj polemika. Kemi luajtur shumë mirë në dy ndeshjet e fundit. Duhet t’i kontrollojmë emocionet tona".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd