
Një trajner kampion me bardheblutë, ata të Tiranës, për të fituar titullin. Këtë zgjedhje ka bërë FC Prishtina me rokadën e sotme në stolin drejtues, duke shkarkuar ish-mbrojtësin e kombëtares kuqezi, Debatik Curri, dhe emëruar ish-portierin dhe trajnerin e Tiranës, Emanuel Egbo. Pra, kamerunasi, tashmë me pasaportë shqiptare, nuk do t’i ndërrojë ngjyrat bardheblu, por vetëm dy kryeqytetet e dy shteteve shqiptare në Ballkan.
Ja njoftimi i klubit prishtinas të futbollit me këtë rast: “Ish-trajneri kampion me KF Tirana 2019/20, Emmanuel Egbo, 50-vjeçar nga Nigeria me shtetësi shqiptare, është emëruar kryetrajner i ri i skuadrës sonë.
Egbo ishte portier i shumë skuadrave, ndër to Bylis dhe Tirana, kurse më vonë edhe si trajner i portierëve dhe kryetrajner i të dyja këtyre skuadrave. Egbo në punën e tij në ekipin e Prishtinës do ta ndihmojë nga afër edhe trajneri nga Shqipëria, Eldiano Topi.
Prononcimi i Egbo – “E njoh Prishtinën, është klubi më i madh në Kosovë, nuk diskutohet me trofetë që ka fituar dhe me shumë ngjarjet që ka bërë me futbollin e Kosovës. Nuk ishte shumë e vështirë ta pranoja ofertën.
Pas shpjegimit të planeve dhe objektivave që ka klubi dhe duke qenë tip që i dua sfidat, duke qenë se kam punuar edhe te Tirana, si kulmi i futbollit në Shqipëri, e di që çfarë presioni kanë klubet si Prishtina. Pra, nuk e pata të vështirë ta pranoja punën. Do të jetë ide e mirë të bashkëpunoj me klubin.
Nga afër nuk e njoh ekipin, por e kam ndjekur në të kaluarën, edhe tash së fundi, nga pamjet televizive në Shqipëri, por edhe nga video-ndeshjet. Objektivat janë të qarta, arritja më e pakët është Europa, pse jo edhe më lart. Kjo mund të arrihet vetëm të bashkuar, me të gjithë, nga punëtorët e klubit deri te futbollisti më kryesor i skuadrës”.
Lamtumira e klubit për Currin – “E falënderojmë trajnerin Curri për punën që ka bërë në ekip. Normalisht, Prishtina gjithmonë kërkon rezultate dhe rezultatet ishin arsyet që u desh t’i ndanim rrugët me Currin. Normalisht nuk mund të themi që ishte vetëm faji i Currit, por vendimi gjithmonë vendimi bije te trajneri, ky është ligj në futboll”.
“Gjithashtu, i urojmë mirëseardhje trajnerit të ri, Egbo, me të cilën mendoj se do të bëjmë më të mirën që ekipi të arrijë objektivat. Ekipi është i panjohur për të, por i duhet pak kohë e shkurtër deri sa të arrijë të njoh stafinë, lojtarët. Besoj mëse do t’i përmbushë objektivat e klubit”.”