
Stefano Pioli, pas humbjes 3-0 të Milanit në “Parc des Princes” ndaj PSG-së, foli si zakonisht pas ndeshjes, duke u përpjekur të analizojë se çfarë nuk funksionoi në ndeshjen ndaj skuadrës së drejtuar nga Luis Enrique.
Përveç aspekteve të natyrës taktike, trajneri kuqezi pati mundësinë t’i “përgjigjej” kapitenit të tij Davide Calabria, i cili pas nokautit të rëndë në Paris, i kërkoi skuadrës të besonte më shumë te vetja, duke nënvizuar se si Milani nuk ishte në gjendje të përgjigjej në fushë për punën e bërë gjatë javës.
Një deklaratë e “korrigjuar” menjëherë nga Pioli, i cili donte t’i përgjigjej lojtarit të tij: “Rezultat i rëndë, por skuadra dha atë që kishte. Nga pikëpamja teknike duhet të kishim bërë më mirë, PSG i shfrytëzoi mirë mundësitë që kishte. Në pjesën e parë bëmë shumë mire, ndërsa në të dytë ishim të pasaktë. Goli i dytë ishte fatal për shkak të mënyrës se si e pësuam atë.
PSG, gjithashtu bëri shumë presion, ndaj nuk ishte e lehtë ta zhvillonim mirë manovrën tonë. U ndëshkuam në momente delikate të ndeshjes. Duhet të bënim më mirë teknikisht. Është normale të shqetësohemi pas dy humbjeve radhazi, por duhet ta ngremë nivelin tonë, sepse grupi mbetet i hapur, kualifikimi nuk është mbyllur ende.
Për një orë bëmë paraqitje të mirë, madje luajtëm më mirë se PSG, por më pas pësuam golin e dytë dhe vuajtëm pak. Mund ta kishim rihapur lojën, më vjen keq sepse ishte një ndeshje e rëndësishme, që e luajtëm mirë. Nuk mund ta fajësoj për asgjë qëndrimin e ekipit tim, por PSG kishte më shumë cilësi se ne dhe diktoi rezultatin".
Sipas kapitenit Calabria, kualifikimi bëhet më i vështirë, por nuk ka mbaruar ende: “Ka keqardhje për dy ndeshjet e para, ku mund të kishim marrë më shumë pikë. Sot, parizienët dëshmuan se janë më të fortë se ne. Nuk po i finalizojmë dot mundësitë, ndërsa PSG ka një fenomen që shënon gol në goditjen e parë.
Një lojtar si Mbappé bën diferencën. Është e vështirë, por definitivisht nuk ka mbaruar, kështu që do të luftojmë deri në fund për kalimin e grupit. Kushdo që nuk e beson këtë, mund të qëndrojë në shtëpi. Rezultati na zemëron, sepse sinqerisht një ekip si i yni nuk mund të humbasë 3-0.
Ne mund të kishim bërë edhe më mirë me topin. Fatkeqësisht ishim shumë të çekuilibruar, duke dështuar në duelet një kundër një me kundërshtarin. Është e vështirë të analizosh mirë në nxehtësinë e momentit.
Duhet ta kuptojmë situatën, kohët e fundit kemi pësuar shumë gola kundër skuadrave të mëdha dhe shënojmë pak gola. Duhet të jemi më intensivë, më të vëmendshëm në fazën mbrojtëse, më të gatshëm për të dhënë diçka shtesë”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd