Gjithnjë e më pak mungon rikthimi i Romelu Lukakut në “San Siro”, por si kundërshtar i Interit. Një ditë që tifozët zikaltër e presin me padurim për t’u hakmarrë, sidomos pas asaj që ndodhi në verë. Zhvillimet e merkatos dhe vendimi i belgut për t’i kthyer shpinën Interit po dominojnë lajmet para përballjes së Interit me Romën, të dielën e ardhshme.
Sepse “flirti” me Juventusin, thashethemet, qëndrimi i konfirmuar nga ish-shokët e tij (telefonatave të të cilëve nuk iu përgjigj) rëndojnë mbi belgun. José Mourinho foli edhe për këtë temë në prag të ndeshjes së “Europa League” kundër Slavia Praga.
Me ironinë e tij të zakonshme, :Special One” e zhvendosi vëmendjen te rëndësia që Lukaku kishte për Interin: “Nuk e dija që Lukaku ishte kaq i rëndësishëm në Milano. Nuk e dija, sepse atë që bëri Romelu në Milano, duke fituar një titull, dy kupa dhe një superkupë, e kanë bërë 200 lojtarë në historinë e Interit. Nuk e dija se ishte kaq e rëndësishme për ta”.
Një tjetër pasazh i rëndësishëm i konferencës për shtyp të Mourinhos ishte krahasimi i situatës së Lukakut me atë të Hakan Calhanoglu: “Konstatoj diçka interesante. Nëse Lukaku kalon nga Interi te Roma për të ndihmuar ish-trajnerin e tij, kjo qenka dramë. Nëse Calhanoglu shkon nga Milani tek Interi, kjo qenka mrekulli…"
Portugezi shkon më tej me krahasimet e tij, për të mbrojtur Lukakun: “Disa vite më parë, Cannavaro kaloi nga Interi te Juventusi pa asnjë problem, Vieri nga Interi te Milani po ashtu. Kalimi i Lukakut nga Interi te Roma është bërë diçka që më befason, sepse për mua konsiderohet surprizë. Ai paska qenë kaq i rëndësishëm për historinë e Interit”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd