
LEZHË- Gjimnazisti i cili goditi paraditen e sotme mësuesen Majlinda Palushi në ambientet e gjimnazit “Hydajet Lezha” është shoqëruar në polici në praninë e psikologut, prindit dhe mbrojtësit ligjor. Ai akuzohet për veprat Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Goditjet për shkak të detyrës”.
Ngjarja ndodhi në orën 10:30 minuta, të kësaj të mërkure në ambientet e gjimnazit “Hydajet Lezhë” në Lezhë. Mësuesja e matematikës, Majlinda Palushi, pësoi lëndime serioze në krahun e saj nga goditja me karrige. Ajo u dërgua menjëherë në urgjencën e Spitalit Rajonal të Lezhës, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Raportohet se mësuesja është betuar duke përmendur të atin e saj që nuk jeton më, ashtu si edhe babai i adoleshentit, gjë që besohet se ka nxitur dhe reagimin e dhunshëm.
“Betohem për kockat e babait tim që më ka vdekur dhe babait tënd që është aty tek i imi që do të të ngel”. Pasi i ka përmendur babain që nuk jeton më, 16-vjeçari është rebeluar dhe ka marrë karrigen dhe goditur mësuesen para nxënësve të tjerë.
Në njoftimin zyrtar policia vendore informon se ‘në vijim të informacionit të dhënë paraditen e sotme, sipas të cilit në ambientet e gjimnazit “Hydajet Lezha”, një 16-vjeçar kishte goditur me send të fortë (karrige), mësuesen M. P., ju informojmë se:
Në praninë e psikologut, prindit dhe mbrojtësit ligjor, specialistët për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, bënë arrestimin e shtetasit G. P., 16 vjeç, banues në Lezhë, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Goditjet për shkak të detyrës”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.’