Trajneri i Milanit, Stefano Pioli, foli në një konferencë për shtyp në prag të ndeshjes kundër PSG, e vlefshme për fazën e grupeve të Champions League.
Si ndiheni në prag të kësaj ndeshje?
Na pret një ndeshje e rëndësishme, shpresoj që ende nuk është vendimtare. Besoj se ky grup do të vendoset në xhiron e fundit të ndeshjeve.
A ka ndonjë gjë nga dy ndeshjet e mëparshme të Ligës së Kampionëve që do të dëshironit ta shihnit sërish në fushë?
Do të doja të rishikoja gjithçka nga ndeshjet e tjera të Ligës së Kampionëve, vetëm se futbolli është i çuditshëm, i paparashikueshëm. Të mos shënosh pas rasteve që krijuam është vërtet dëshpëruese. Mendoj se në Paris do të kemi më pak shanse, por ndoshta duke bërë 4 goditje në portë do të shënojmë 5 gola. Unë e respektoj shumë Luis Enrique, por ne jemi Milani dhe duam të luajmë me kokën lart.
Pobega nisi dy ndeshjet e para të Champions League. A do ta shohim edhe kësaj here titullar?
Pobega është një mesfushor me karakteristika të caktuara. Nëse e konsideroj të drejtë për të luajtur që në fillim do ta fus në fushë. Kundër PSG është me rrezik të presësh, por edhe të sulmosh, për shkak të shpejtësisë që kanë lojtarët kundërshtarë. Nëse e kapërcejmë presionin e parë, mund të gjejmë hapësirat e duhura për të qenë të rrezikshëm.
Çfarë solli Olivier Giroud në ekipin tuaj?
Olivier është lojtar i madh dhe një njeri me thellësi të madhe, që e ka ndihmuar ekipin të rritet. Ai solli një mentalitet fitues me profesionalizëm dhe punë.
Cili është mendimi juaj për Mbappe?
Mbappé ka një aftësi të jashtëzakonshme për të lëvizur, gjithmonë zgjedh momentin e duhur. Kushdo që e markon duhet të jetë i kujdesshëm dhe të përpiqet të parashikojë lëvizjet e tij.
A mund të jetë Leao njeriu vendimtar në "Parc des Princes"?
Pavarësisht nëse është Leao, Giroud apo një tjetër, ne të gjithë duhet të jemi gati për të qenë të rrezikshëm, proaktivë.
A ka ndonjë problem sulmi te Milani?
Ne duhet të shënojmë më shumë, kjo është sigurisht për shkak të asaj që po arrijmë të krijojmë në Ligën e Kampionëve. Është objektivi ynë dhe duhet të përfitojmë nga mundësia më e vogël që mund të krijohet.
Leao dhe Pulisic duhet ta kërkojnë më shumë golin?
Sigurisht, por ne kemi nevojë për lojtarë që mund të qëndrojnë pranë tyre për t’i mbështetur. Kësaj here do të ketë një ndeshje ndryshe në krahasim me Juventusin.
A keni folur me Donnarumma për këtë ndeshje?
E pashë në Milanello, e përqafova. Herë pas here i dërgojmë mesazhe njëri-tjetrit. Ai është një djalë që dha gjithçka deri në ditën e fundit me fanellën kuqezi.
A e keni parë Newcastle-PSG, ndoshta për të marrë frymëzim për këtë përballje?
E pashë Newcastle-PSG dhe mendoj që nëse ata do të luanin përsëri, nuk do të kishte gjasa që të dilte i njëjti rezultat, duke pasur parasysh se si kishte luajtur PSG. Futbolli është i paparashikueshëm.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd