Transmetuar më 25-10-2023, 09:40

Vendi i parë në Serie A, vendi i parë në grupin e Champions League. Thjesht nuk mund të shkojë më mirë se kaq për Interin. Simone Inzaghi ka padyshim një pjesë të meritave, por mbi të gjitha kishte disa arsye për të buzëqeshur në fund të ndeshjes ndaj Salzburgut:

"Është një fitore shumë e rëndësishme për qëllimet që kemi, kualifikimin në grup. E dinim që Salzburgu ishte ekip i ri dhe i gjallë. Ishim gjithmonë në lojë, edhe pas golit të pësuar të barazimit, ku duhej të kishim bërë më mirë. Fituam me meritë kundër një ekipi që e dinim se do të na shqetësonte.

Sanchez iu rikthye golit? Jam i lumtur që ai shënoi, jam i kënaqur me mënyrën se si po punon dhe me dëshirën që kishte për t’u kthyer tek Interi. Me dhe pa top është shumë i rëndësishëm. Sonte luajti një ndeshje të shkëlqyer. Kur futa Thuram në lojë duhej të bëja një zgjedhje mes tij dhe Lautaros, përndryshe do të kishte vazhduar pa probleme. Ai është duke u përmirësuar në gjendje.

A është siguruar tashmë kualifikimi? Kurrsesi jo, nuk duhet të mendojmë kështu. Ne morëm 7 pikë, por është një grup shumë i balancuar, çdo ndeshje duhet të përgatitet në mënyrën më të mirë të mundshme. Tani kemi dy ndeshje jashtë, në Champions League askush nuk të fal asgjë. Me Salzburgun do të ndeshemi sërish pas dy javësh, në ndeshjen e kthimit pres të njëjtat vështirësi”.

Zikaltrit nuk kanë kohë të festojnë, sepse duhet të zhyten menjëherë te Serie A. Të dielën, Roma e Lukakut do t’i sfidojë kryesuesit në “San Siro”. Trajneri Inzaghi apelon për përqendrim maksimal: "Arrijmë mirë në përballjen me Romën, me dy fitore të rëndësishme.

Tani do të duhet të përgatitemi mirë dhe të rikuperojmë energjinë fizike e mendore. Lukaku? Nga nesër (sot) do të fillojmë të mendojmë për Romën, që ka lojtarë të rëndësishëm si Lukaku dhe të tjerët. Do të përpiqemi të luajmë një ndeshje të mrekullueshme para tifozëve tanë”.