Transmetuar më 24-10-2023, 15:33

Luis Enrique, trajneri i PSG, foli në konferencë për shtyp në prag të ndeshjes delikate të Champions League kundër Milanit. Kampionët francezë vijnë nga një humbje e rëndë ndaj Newcastle në "grupin e vdekjes", por mbeten një pikë përpara kuqezinjve, që deri më tani kanë marrë dy barazime 0-0.

Për vlerën e Milanit – "Po flasim për një skuadër të madhe, që gjithmonë ka luajtur në kompeticione elitare. Si të gjitha skuadrat ka pasur ulje dhe ngritje. Për mendimin tim, Milani po bën shumë mirë tani. Ky quhet ‘grupi i vdekjes’, sepse të gjithë mund të kualifikohen dhe e kundërta".

Kush do ta fitojë “Topin e Artë” – "Nuk e di".

Rëndësia e sfidës së nesërme – "Si çdo ndeshje tjetër, por mund të jetë e rëndësishme për të gjithë. Jemi të kënaqur me atë që po bëjmë, tani kemi dy përplasje direkte me kuqezinjtë. Deri në fund të grupit nuk do të dihet se kush do të kualifikohet. Për ne janë dy ndeshje shumë të rëndësishme sepse do të ndikojnë në rrethanat e dy të tjerave. Tani po mendojmë për nesër, do të luajmë në stadiumin tonë, para tifozëve tanë, duhet të luajmë më mirë se Milani për të fituar".

Mbi filozofinë e lojës së PSG – "Ne si ekip kemi sulmuar gjithmonë, jemi munduar të zotërojmë topin. Është një mesazh që lojtarët tashmë e dinë mirë. Ne duhet të sulmojmë gjithmonë më shumë se kundërshtari, por duhet të dimë edhe të mbrojmë. Është e rëndësishme të dimë si ta përdorim presingun. Kjo është arsyeja pse unë jam këtu dhe lojtarët e kuptuan. Jam optimist për atë që shoh dhe ndjej, kur shikoj lojtarët e mi të stërviten, si jetojnë. Naturisht, gjithmonë duhet të përmirësohemi, por jam optimist".

A ka ende vend për përmirësim Donnarumma – "Të gjithë kemi mundësi të përmirësohemi. Para se të mbërrija në Paris, e dija që Donnarumma ishte një nga portierët më të mirë në botë, e kisha takuar tashmë si kundërshtar. Sigurisht që mund të përmirësohet, profesionalisht dhe personalisht. Sidoqoftë, ai tashmë është shumë i fortë dhe jam mjaft i lumtur që e kam".

Lojtari i Milanit që do t’ia “vidhte” Milanit – "Askënd, sepse janë lojtarë të Milanit dhe jo PSG. Edhe ata nuk duan të nënshkruajnë me askënd, sepse të gjithë do të zemërohen, nuk funksionon kështu. Milani përdor modulin 4-3-3, di të luajnë me dhe pa top, në të dyja fazat, por ndonjëherë ka ndryshuar. E ka bërë sezonin e kaluar me Tottenham në mos gaboj. Një nga opsionet është se mund të ndryshojë gjithmonë. Ne do të përpiqemi të sulmojmë në të njëjtën mënyrë dhe ndoshta të përshtatemi me ndryshimet e kuqezinjve”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd