Transmetuar më 24-10-2023, 08:30

Pas fitores së pastër 3-0 ndaj Torinos dhe parakalimit të kuqezinjve në krye të renditjes së Serie A, Interi zhytet sërish në Champions League. Simone Inzaghi nuk flet shumë mbi zgjedhjet e tij të formacionit për ndeshjen kundër Salzburgut. "Kam shumë dyshime, sepse kemi luajtur të shtunën, – shpjegoi trajneri zikaltër.

– Do të ndryshoj diçka, sepse rotacionet duhet të jenë një vlerë e madhe e shtuar. Titullarët? Le të shohim, duhet të vlerësoj ende. Sanchez është gati, por nuk e di nëse do të luajë nga fillimi. Mundësia që Frattesi të startojë? Davide është një lojtar i rëndësishëm për ne, por ende duhet të vlerësoj zgjedhjet e formacionit.

Ne e kemi ndjekur Thuram prej disa kohësh, cilësitë e tij nuk diskutohen, por përfshirja në një ekip të ri mund të kishte krijuar njëfarë hezitimi tek ai, i cili u fshi menjëherë falë ndihmës së shokëve të tij”.

Si vjen Interi: "Të shtunën fituam një ndeshje të rëndësishme jo të lehtë. Me Salzburgun do të jetë një ndeshje shumë e rëndësishme në një grup shumë të ekuilibruar. Do të duhet të mbajmë përqendrimin tonë të lartë. Salzburgu fitoi në Lisbonë kundër Benfikës, ndaj na duhet vëmendje maksimale.

Thuram? Cilësitë e tij ishin të njohura për të gjithë. Me ndryshimin e ligave dhe vendeve, mund të mendohej se do të kishte disa vështirësi për t’u përshtatur, por ia doli shpejt. Ai po na jep rezultate të shkëlqyera, por jemi vetëm në fillim. Duhet të vazhdojë kështu.

Ikja e Lukakut lejoi shpërthimin e Thuram? Ai po bën gjëra të shkëlqyera. Ne do të mendojmë për Romën dhe Lukakun më vonë, tani jemi të fokusuar dhe të përqendruar te Salzburgu, i cili është një ekip që ka fituar kampionatin e tij për dhjetë vite.

Lojë me frikë? Është një ndeshje për t’u frikësuar, si gjithë të tjerat. Sidomos në një grup të balancuar si ky, me Real Sociedad në vazon e katërt. Djemtë e dinë këtë. Salzburgu luan futboll të mirë. Ata janë agresivë me 4-3-1-2. Edhe pse në parasezon luanin me një formacion tjetër, dinë të ndryshojnë qëndrimin taktik. Kur janë në zotërim të topit vertikalizohen shpejt dhe kanë sulmues shumë fizikë.

Çfarë i mungon Pavardit për të luajtur në të djathtë? Jam shumë i lumtur me të. Ai është një lojtar i përsosur në sistemin tonë të lojës. Ne e donim shumë dhe jemi shumë të kënaqur me zgjedhjen e bërë. Jam i lumtur, do të vazhdojë të përmirësohet.

Lautaro për ‘Topin e Artë’? Po, patjetër. E meriton për udhëtimin që ka bërë dhe trofetë e fituar. Ai duhet të jetë aty atë natë. Nuk mendoj se do të fitojë, por meriton gjithçka që po merr. Ai duhet të vazhdojë të punojë kështu, në këto dy vite me Interin ka bërë shumë, shumë mirë".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd