
BRITANI E MADHE- Një 30-vjeçar është akuzuar për vrasjen e 27-vjeçarit shqiptar, në Leytonstone tetorin e kaluar. Sabajet Shuti u akuzua në orët e para të së shtunës për vrasjen e Lumturi Zeqja, raportojnë mediat e huaja.
Policia metropolitane, e cila hetoi këtë ngjarje raporton se ndaj 30-vjeçarit Sabajet Shuti, rëndojnë edhe akuza të tjera si plagosja e një personi tjetër, prishje e qetësisë publike dhe mbajtje e një thike.
Policia u thirr në Church Lane, Leytonstone në orën 22:59 më 16 tetor 2022 pas raportimeve për një përleshje. Oficerët gjetën dy të rinj të plagosur. Me gjithë përpjekjet e urgjencës, 27-vjeçari Zeqja ndërroi jetë në vendngjarje. Lumi u vra pasi ndërhyri për të shpëtuar shokun e tij që u përfshi në një sherr në lokalin ku ndodheshin.
Një ditë pas vrasjes kushërira e viktimës, Violet Uka tha një koment për The Standard duke deklaruar:
“Lumturiu jetonte në Londër për 13 vjet dhe ishte një punëtor i palodhur. Ai hyri në mes të sherrit për të ndarë shokun e tij dhe e vranë. Ishte një njeri i guximshëm dhe i mirë për të ndërhyrë dhe për të shpëtuar mikun e tij. Dora e vrasësit na ka lënë të mjerë të gjithëve. Na e mori lumi në moshën më të bukur. Nuk ka fjalë për të ngushëlluar familjen e tij”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





