Në një rrëfim prekës, Vera Ora nëna e këngëtares shqiptare Rita Ora ka treguar betejën e saj me sëmundjen e rëndë me kancer. Ajo tregoi se sëmundja e preku në moshën 39-vjeçare, dhe që për të ishte një periudhë mjaft e vështirë.
“Në atë kohë i kam pasur fëmijët e vegjël edhe s’kam punu, jam marrë me sëmundjen, me terapinë e cila ka qenë mjaft e gjatë e mjaft e mundimshme, e unë si femër kam qenë mjaft e prekur në shumë aspekte”, tha ajo në emisionin “Kallxo Përnime”. Vera tregon që në atë kohë, rreth vitit 2006, kanceri nuk ka qenë shumë i përhapur te femrat më të reja, e që ajo nuk kishte ndonjë shenjë që kishte kancer, e për këtë, doktorët nuk i rekomanduan që ajo të bënte mamogram.
“Thashë diçka nuk është në rregull dhe më tha doktori je e re, nuk ke ndonjë shenjë të kancerit, nuk ndodh te moshat kaq të reja. Edhe i thashë e dua një mamogram. Pasi e bëra më thirrën urgjentisht dhe mjeku u ndi shumë keq, sepse thoshte që s’të kam ekzaminuar siç duhet. E unë në ato momente isha në një kaos mendor, nuk ia vura veshin dhe aty filloi ajo rutina, diagnoztikimi, tretmani, operimi, terapia”, rrëfen ajo.
“Kam kërku të kem terapi nga psikologu, kam qajtë, jam ndi shumë e zhgënjyme me faktin që ka ndodhë, por, tu i pasë edhe fëmijët e disha që duhet me u tregu që nuk bën me u dorëzu për shumçka”, – shton Vera Ora.
Ora rrëfen se njëra ndër shkaqet kryesore të sëmundjes së kancerit është edhe mënyra e të ushqyerit. Ajo për emisionin “Kallxo Përnime”, ka thënë se ushqimet e procesume janë shumë të rrezikshme.
“Këto janë shumë të rrezikshme, por janë më të dëshirushme sesa ushqimi i shëndetshëm”, thotë ajo. Ndër tjerash Ora shtoi se beson që stresi ka qenë arsyeja më e madhe e sëmundjes së kancerit.
“Ushtrimet e ndryshme, ushqimi i shëndetshëm ndikon në uljen e stresit”, ka thënë Ora.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd