Transmetuar më 21-10-2023, 23:14

Dy përfaqësues të Policisë së Shtetit kanë hyrë në ambientet e selisë së Partisë Demokratike, mbëmjen e sotme (21 tetor), aty ku ish-kryeministri Sali Berisha ndodhet pas përfundimit të konferencës së jashtëzakonshme.

Mësohet se dy punonjësit kërkojnë të kenë kontakt me ish-kryeministrin Berisha, për ti komunikuar zyrtarisht vendimin e Gjykatës së Posaçme.

Berisha akuzohet për korrupsion pasiv kryer në bashkëpunim sipas nenit 260 dhe 25 i Kodit Penal. GJKKO ka caktuar ndaj ish-kryeministrit masën e sigurisë detyrim paraqitje dhe ndalim jashtë shtetit.

Nga ana tjetër, dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi akuzohet për korrupsion pasiv në bashkëpunim sipas nenit 260 dhe Pastrim i Produkteve në bashkëpunim me Fatmir Bektashin sipas nenit 287 të Kodit Penal.

Ndërsa, ndërtuesi Fatmir Bektashi akuzohet për korrupsion aktiv dhe pastrim i produkteve të veprës penale në bashkëpunim me Malltezin.

Arrestimi i Jamarbër Malltezit

Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha është arrestuar mbrëmjen e sotme (21 tetor) në Aeroportin e Rinasit, ku po priste bashkëshorten teksa po kthehej nga një udhëtim nga një vend i BE.

Ndaj Malltezit është caktuar edhe masa e sigurisë arrest me burg. Mbi Malltezin rëndojnë akuzat për pastrim parash, korrupsion pasiv si edhe fshehje pasurie lidhur me kompleksin Partizani.

Me urdhër të SPAK janë vënë nën sekuestro edhe disa pasuri të Malltezit. Mësohet se urdhri për ndalimin e Malltezit, është firmosur nga prokurori i posaçëm, Arben Kraja.

Në pranga ka rënë edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, ndërtues i pallateve tek ish-kompleksi Partizani.

GJKKO ka caktuar masë sigurie edhe për ish-kryeministrin Sali Berisha. Ndaj Berishës është caktuar detyrim paraqitje dhe ndalim jashtë shtetit.

Hetimet për privatizimin e kompleksit “Partizani”, nisën pas një kallëzimi penal të bërë më 17 nëntor 2020, nga ministri i Brendshëm Taulant Balla, në atë kohë kreu i grupit parlamentar të PS.

Balla, asokohe kallëzoi për shpërdorim detyre ish-kryeministrin Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe ish-ministri Arben Imami.

Ata akuzohen në lidhje me privatizimin e rreth 10.000 m2 të ish-kompleksit sportiv “Partizani”, në qendër të Tiranës, truall i cili para vitit 2012 ishte në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes.