Transmetuar më 21-10-2023, 09:52

Pas 2-2 ndaj Bologna, me të cilin Interi mbylli miniciklin e kampionatit para pushimit, Simone Inzaghi i kërkon skuadrës së tij të rikthehet te fitorja ndaj Torinos: “Do të na duhet një Inter i shkëlqyer, sepse pas pushimit përgatitja është gjithmonë e vështirë.

Duke qenë se lojtarët janë rikthyer mes të mërkurës dhe të enjtes, vështirësia shtohet, pa harruar se do të sfidojnë një ekip të shkëlqyer. Për ta bërë këtë do të duhet të përmirësohemi në nivelin mbrojtës, veçanërisht te pakujdesitë.

Ne po punojmë shumë në organizimin mbrojtës, por do të duhet të bëjmë edhe më tepër. Pësuam dy gola të shmangshëm ndaj Bologna, duhet të përmirësohemi të gjithë. Skuadra duhet të jetë e gatshme për të marrë pjesë aktive edhe në fazat e moszotërimit të topit”.

Pas fjalëve të Giuseppe Marotta, edhe Inzaghi lartëson kapitenin Lautaro Martinez: "Ai ka një ndjenjë të madhe përkatësie për Interin. Vitet e fundit ka pasur rritje të vazhdueshme, me shiritin e kapitenit ka marrë më shumë përgjegjësi. Plus kësaj, ai është me fat që ka shokë skuadre të cilët gjithmonë përpiqen ta vendosin në kushtet më të mira”.

Duke folur për sulmin, edhe këtë sezon Interi po shënon shumë dhe me lojtarë të ndryshëm: "Është një fakt që vërteton forcën e grupit. Ne ende mund të përmirësohemi, duam më shumë gola nga të gjithë, edhe nga mbrojtësit dhe mesfushorët".

Duke iu rikthyer ndeshjes kundër Torinos, trajneri zikaltër identifikon dy aspekte që mund të jenë vendimtare: "Sigurisht që të dyja skuadrat kanë lojtarë të shkëlqyer krahu, por edhe cilësi në mesfushë. Do të jetë një ndeshje intensive, si jashtë, ashtu edhe brenda fushës".

Së fundi, për kalendarin që i pret zikaltërit mes kampionatit dhe Champions League: “Djemtë e dinë që do të më duhen të gjithë për këtë seri ndeshjesh të rëndësishme dhe të vështira, do të duhet të kemi përqendrim dhe dëshirë shumë të lartë për të performuar".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd