
TIRANË- Kryeministri i vendit Edi Rama ka folur mbrëmjen e sotme për ish-zv/kryeministrin Arben Ahmetaj i cili aktualisht është i kërkuar nga drejtësia shqiptare për disa akuza që lidhen me inceneratorët. I ftuar në “Opinion” në Tv Klan. Rama i pyetur në mënyrë direkte se ku ndodhet Ahmetaj, thekson se nuk ka asnjë dijeni. Po ashtu Rama ka deklaruar se aferat që kanë ndodhur në vend, nuk janë pjesë e qëllimit të përbashkët të qeverisë së tij.
Pjesë nga Intervista:
-Ku është ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj? Numri dy i qeverisë tuaj që drejtonte mbledhjet e qeverisë në mungesën tuaj?
Edi Rama: Nga Hamasi te Arben Ahmetaj…
Edi Rama: Po pse çfarë lidhje kanë këto dyja përshembull?! Ky vendi që është më mirë se vendet e tjera rreth e rrotull as nuk diskutohet, që ky vendi është më mirë se nga ç’ishte dhe se pengimi nga vetvetja ka filluar ta largojë, këtë e provon dhe arsyeja pse pyesni ju. Sepse ka filluar të funksionojë dhe diçka tjetër që s’ka pas funksionuar.
-Ku është zv.kryeministri juaj? Ish-zv.kryeministri juaj. Keni dijeni se ku ndodhet? Kur keni komunikuar për herë të fundit me të?
Edi Rama: Shumë kohë përpara.
-A kishit dijeni zoti Rama siç doli nga hetimet e SPAK për lidhjet shumë të forta me bosët e inceneratorëve, ju kam thirrur në studio, u kam pyetur gjithmonë, e keni mohuar…
Edi Rama: Çfarë të kam thënë ta them prapë. 100 herë të kthehesha mbrapa, 100 herë do ta bëja prapë atë punë.
-Me gjithë aferat brenda asaj dosje?
Edi Rama: Aferat nuk janë pjesë as e qëllimit të përbashkët, as e planit të punës e as gjithë atij mundi që është bërë, nuk janë aferat që e kanë pastruar Tiranën, është ajo gjëja atje…Kurse kur në një punë të përbashkët, dikush ose disa duan të bëjnë një rrugë e dy punë, atëherë rrugët ndahen. Ata nuk vazhdojnë më në rrugën e përbashkët.