Transmetuar më 19-10-2023, 20:26

TIRANË- Drejtori i Agjencisë së Mbikqyrjes Policore Ardi Veliu ka dhënë dorëheqjen nga posti që mban aktualisht.

Burime jozyrtare bëjnë me dije se Veliu ka përgatitur dorëheqjen dhe më pas e ka dorëzuar te ministri i Brendshëm Taulant Balla.

Pas kësaj është informuar kryeministri Edi Rama, i cili sipas raporteve mediatike sonte, nuk e ka pranuar dorëheqjen e Veliut.

Gjithsesi nuk ka asnjë të dhënë zyrtare mbi këtë zhvillim.

Media tradicionalisht pranë qeverisë raportuan sot se Veliu ishte shkarkuar nga ministri i Brendshëm.

Ky i fundit, më herët kishte shprehur rezerva për Agjencinë që drejtonte Veliu: "Pyetja ime kaq kohë pas krijimit të Agjencisë si një derivat i SHKB-së së dikurshme, sa drejtues a shefa komisariatesh të Policisë së Shtetit janë kapur me presh në duar? Por ata janë të vegjël, të mëdhenjt nuk janë kapur ende”.

Dorëheqja e Veliut duket se lidhet edhe me denoncimin e kreut demokrat Sali Berisha që tha se ish kryepolici është përfshirë në komunikimet me telefona të enkriptuar.

Ardi Veliu ishte drejtor i Policisë së Shtetit kur vdiq i riu Klodian Rasha të cilën e vrau një polic pse theu orën policore.

Më pas Veliu u emërua nga Rama edhe si zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjitikës. /noa.al