Transmetuar më 19-10-2023, 11:53

Fitimet neto janë 304 milionë euro, por për Barcelonën shifrat ende nuk rrezatojnë dritë në fund të tunelit. Në buxhetin 2022-2023, të paraqitur nga klubi katalanas, kishte një bilanc më të mirë se sa pritej, sikurse shpjegoi Eduard Romeu, nënkryetar i zonës ekonomike, i cili lejoi një ulje të borxhit neto nga gati 700 në 552 milionë euro.

“Por ka ende shumë punë për të bërë, për ta sjellë borxhin në një nivel të qëndrueshëm”, – shpjegoi menaxheri i klubit blaugrana.

Me një shpenzim total prej 1.165 miliardë euro dhe të ardhura prej 1.259 miliardë euro, Blaugranët kanë përmirësuar pak gjendjen e financave të tyre, edhe për shkak se ka pasur një përmirësim 43% në fushën tregtare, me fitime prej 350 milionë euro.

Kjo, edhe falë “potencialit shumë të lartë të markës së Barcelonës”, fakt i cili ndihet mbi të gjitha në “merchandising” dhe shitjen e biletave të stadiumit e muzeut, nënvizoi Romeu. Pikat e dhimbshme, si në shumë klube të tjera, kanë të bëjnë për shembull me zërin e pagave. Ato “peshojnë” 676 milionë euro, rreth 60% e totalit të shpenzimeve të Barçës.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd