
Gjykata e Shkallës së Dytë, Apeli i Janinës, shprehet pro ekstradimit të Laert Haxhiut drejt vendit tonë.
Burime nga Ministria e Brendshme konfirmojnë se shkalla e dytë e gjyqësorit helen është shprehur pozitivisht kërkesës së Shqipërisë, por Haxhiu ka edhe të drejtën e shqyrtimit të çështjes në Gjykatën e Lartë greke.
I riu lushnjar është dënuar me 18 vite nga Gjykata e Lartë teksa vijon procesi në GJKKO për “Masakrën e Lushnjës” që e përfshin Haxhiun në ngjarje.
Gjithashtu ai u shpall në kërkim nga Prokuroria e Elbasanit edhe në kuadër të operacionit “Never Forget” pas dëshmisë së Artan Tafanit, bashkëpunëtor i drejtësisë, ku ai del autor apo organizator i disa vrasjeve.
Plani për eliminimin e prokurores së SPAK
Haxhiu gjithashtu kishte planifikuar të eleminonte edhe prokuroren e posaçme Doloreza Musabelliu, sipas dëshmisë së Tafanit.
Pas kësaj, drejtuesi i SPAK, Altin Dumani iu drejtua Policisë së Shtetit me një shkresë ku i kërkonte marrjen në mbrojtje të prokurores.
Por, Doloreza Musabelliu nuk ishte njeriu i vetëm i drejtësisë që Laert Haxhiu kishte planifikuar të eliminonte. Artan Tafani ka treguar edhe planin për ekzekutimin e avokatit Adriatik Guri, i cili sipas tij i ka shpëtuar vrasjes në fraksion sekonde në tetor 2021 në Lushnjë. Sipas të penduarit të drejtësisë avokatin do e vriste vetë ai, Laerti dhe Lulzim Arapi. Avokati Guri sot jeton vetëm prej faktit së në momentin që grupi kriminal zbarkoi me arsenal armës pranë banesës së tij, ai është takuar me një komshie, çfarë ka detyruar tre kriminalët të ndalojnë dhe të presin. Por, avokati, pasi hyri në apartamentin e tij, nuk doli më nga aty, duke anuluar çdo gjë.
Në rrethin e shënjestrës së Laert Haxhiut ishte edhe ish-prokurorja e Lushnjës, Merita Selimi, e shkarkuar nga vetting në korrik 2023. Ajo hetoi Haxhiun, Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin për masakrën e vitit 2017, ku mbetën të vrarë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, ndërsa u plagosën Bujar Turku dhe Marjus Xhepexhiu. 2 vite hetime dhe më pas Selimi shpalli moskompetencë për dosjen, duke ia kaluar SPAK dhe prokurores Doloreza Musabelliu, ku aktualisht ka dënuar me burgim të përjetshëm Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin, ndërsa ka ende në fazë gjykimi Laert Haxhiun, i paekstraduar akoma nga Greqia.
Laert Haxhiu dhe grupi i tij kërkonte vrasjen e saj për shkak se kishte hetuar dy miqtë e tij, Orges Bilibli dhe Anterio Kaloshi, dhe vetë atë për masakrën e vitit 2017 në Lushnjë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





