
Në procesverbalet e deklaratave të Nicolò Fagiolit para prokurorëve për çështjen e basteve të paligjshme, del në pah dëshpërimi i një djali që vuan nga sëmundja (varësia) e lojërave të fatit:
“Më kërcënuan se do të më thyenin këmbët, por nuk kam vënë kurrë bast për Juventusin apo Cremonese, skuadrat ku kam luajtur.
Situata ishte aq e padurueshme sa që në Sassuolo, sapo dola nga fusha nisa të qaja para kamerave, duke menduar për problemet e mia të lidhura me borxhet e basteve”, – lexojmë në faqet e fundit të raportit të deklaratave të bëra për magjistratët.
Një obsesion që e detyroi të bënte një sërë gënjeshtrash, të kërkonte para hua, qoftë edhe nga shokët e skuadrës dhe të vuante kërcënime nga personazhe të rrezikshëm. Fagioli u mor në pyetje nga prokurorët në qershor, më pas u raportua në federatë.
Dhe, siç raporton “Repubblica”, futbollisti bardhezi i deklaroi prokurorit federal Chiné se bastet i filloi duke u fokusuar te tenisi dhe më pas, nga shtatori i vitit të kaluar, duke shpenzuar shuma të mëdha në platforma të ndryshme, pastaj filloi me futbollin për të rikuperuar borxhet e krijuara. Megjithatë, ngulmon se gjithmonë i ka shmangur bastet për skuadrat ku luante.
Kur u kthye te Juve, në vitin 2022, tashmë kishte grumbulluar një borxh prej 250 mijë eurosh. E ëma, e shqetësuar, e këshilloi të shkonte te specialisti për të marrë ndihmë. Megjithatë, situata nuk po përmirësohej dhe Fagioli filloi të vinte baste për gjithçka, përfshirë futbollin.
Në fund, mes platformave legale dhe ilegale, agjencive të ndryshme dhe bankave të paligjshme, ai arriti rreth 3 milionë euro borxhe. Një problem serioz, duke qenë se te Juve kaq fiton një në vit.
Më pas filloi të merrte hua nga shokët e tij të skuadrës, si Gatti dhe Dragusin, pa zbuluar arsyen, duke thënë se duhej të blinte disa ora, apo se llogaria e tij i ishte bllokuar nga nëna.
Hua 40 mijë euroshe nga dy bashkëlojtarët, të cilat iu kredituan një argjendarie, e cila më pas vazhdoi me dhënien e objekteve me vlerë kreditorëve të platformave të ndryshme të basteve.
Varësia nga bixhozi e ka origjinën nga një kamp stërvitor në Tirrenia me kombëtaren U-21. Fagioli sheh mikun dhe shokun e tij të skuadrës, Tonali, duke vënë baste në një faqe të paligjshme bastesh. Ish-lojtari i Milanit e ndihmon atë të regjistrohet përmes një llogarie.
Prej aty nis gjithçka: "Kam vënë baste për fituesin e një ndeshjeje, ose për rezultatin nën/mbi, kurrë për emrin e golashënuesit apo për rezultatin e saktë. E bëra nga mërzia, kisha shumë kohë të lirë”.
Me lotët kundër Sassuolos, Fagioli preku fundin dhe kuptoi se ishte koha për të thënë mjaft. Pjesa tjetër është bërë histori e madhe këto ditë në Itali.