
Ndeshja e mbrëmjes së djeshme kundër Shqipërisë, me gjasë ishte e fundit e Mladen Krstajic në krye të kombëtares bullgare. Në konferencën për shtyp, trajneri serb shpjegoi arsyet që shkaktuan rezultatet e dobëta të skuadrës që drejton, së fundmi:
“Ndër të thirrurit në kombëtare ka djem që nuk luajnë për klubet e tyre, megjithatë nuk ka të tjerë më të mirë se ata. Koha do ta tregojë këtë.
Unë kam të drejtë, edhe pse ndoshta nuk është koha për të folur se cili është problemi i madh i futbollit bullgar, sepse do të dukej si një justifikim.
Shikoni sa të huaj luajnë në Kroaci apo Serbi dhe bëni llogaritë. Nëse nuk luajnë bullgarë në ligën bullgare, ndoshta është më mirë ta mbyllim kampionatin”.
Deri para miqësores me kuqezinjtë, të humbur 2-0, ishte hipotezë, tani është e sigurt. Mladen Krstajic do të largohet nga kombëtarja bullgare.
Pas disfatës së bujshme ndaj Lituanisë pak ditë më parë, e cila bëri që kombëtarja bullgare të rrëshqasë në vendin e fundit të Grupit G, federata ka vendosur të ndahet me ish-mbrojtësin e Werder dhe Schalke.
Ndeshja ndaj Shqipërisë, raportojnë mediat vendase, ishte e fundit si trajner i kombëtares bullgare. Mbetet vetëm për të kuptuar nëse do të jetë një shkarkim apo dorëheqje me mirëkuptim mes palëve.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





