
“Po, ky Milan mund të fitojë titullin e Serie A dhe Ligën e Kampionëve”. Tijani Reijnders është plot energji, e dëshmon këtë që nga grumbullimi me Holandën (kombëtarja e tij mundi Greqinë në një ndeshje vendimtare për kualifikimin në ‘Euro 2024’).
Ka entuziazëm te Milani dhe renditja e justifikon këtë klimë. Pak ditë para ndeshjes kundër Juventusit (të dielën në orën 20:45 në ‘San Siro’), ish-mesfushori i Az Alkmar përpiqet t’i bëjë tifozët e "Djallit" të ëndërrojnë me fjalët e tij:
“Ndeshjet e ardhshme do të jenë shumë të komplikuara, por kam besim. Ndërkohë, tani e tutje mendja jonë do të jetë e përqendruar vetëm te Juventusi. Ne duam të fitojmë titullin e Serie A dhe Ligën e Kampionëve. I kemi cilësitë e nevojshme për t’i arritur këto objektiva”.
Po disfata turpëruese 5-1 në derbin e Madoninës? E harruar, sipas Reijnders: “Interi është një ekip i fortë, i vështirë për t’u përballur, por ne reaguam mirë dhe tani jemi në krye të tabelës së renditjes”.
Mbi situatën e Holandës në garën për "Gjermania 2024": "Ishte një ndeshje thelbësore, Greqia u mbrojt mirë, por në fund morëm 3 pikët. Kjo është e vetmja gjë që ka rëndësi. Ne duam të shkojmë në Kampionatin Europian”.