
Gjatë vizitës së parë zyrtare në vendin tonë, Presidenti francez Emanuel Macron ka aluduar se Franca mund të tërhiqet nga vendimi për liberalizimin e vizave me Kosovën.
Gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Edi Rama, Macron u shpreh se Kosova nuk e ka mbajtur fjalën duke iu referuar trazirave të fundit të ndodhura në veri.
"Po e them shumë qartë. Kemi bërë një gjest nga besimi për çështjen e vizave. Sa i përket Francës, ato [vizat] janë hequr, sepse ne respektojmë fjalën e dhënë. Sot, fjala nuk po mbahet. Pres një angazhim real nga të dyja autoritetet [Kosova dhe Serbia] që të ecin përpara në javët e ardhshme. Ky është kusht për paqe në gjithë rajonin," tha Makron në konferencë me kryeministrin Edi Rama.
Kujtojmë që gjatë konfliktit në veri të Kosovës ku terroristët serb u përballën me policinë kosovare, Macron paralajmëroi se vendi i tij do t’i rishikojë zotimet që ka bërë për çështje ekonomike dhe politika të vizave për dy vendet, nëse nuk sillen me përgjegjësi.
Procesi i liberalizimit të vizave ishte parashikuar që të ndodhte në janar të vitit 2024. Ndonëse Kosova, gjatë konfliktit u paralajmërua nga BE me bllokim të procesit të liberalizimit të vizave, kjo gjë duket se ka ndodhur. NOA.AL