Transmetuar më 17-10-2023, 11:02

Me 13 pikë në renditje, Anglisë do t’i mjaftojë një barazim kundër Italisë për t’u kualifikuar në "Euro 2024", por Southgate premton betejë në "Wembley" kundër kampionëve të Europës në fuqi.

"Objektivi i parë është kualifikimi në Kampionatin Europian, – shpjegoi trajneri i Anglisë. – Paraqitjet tona në fillim të grupit na kanë vënë në një pozicion të fortë. Gjëja e parë që duam të bëjmë është të fitojmë ndeshjen dhe të luajmë mirë.

Kualifikimi është gjithmonë gjëja e parë dhe kundërshtari i madh me të cilin do të përballemi është përkujtuesi i përsosur se nuk duhet të marrim asgjë si të mirëqenë.

Italia ka humbur dy edicionet e fundit të Kupës së Botës. Kjo do të thotë se kualifikimi në një turne të madh nuk është kurrë i lehtë, duhet të bësh më të mirën".

Pastaj, disa mendime për thirrjet e diskutueshme të Henderson dhe Maguire në kombëtare: "Unë gjithmonë do të zgjedh lojtarët më të mirë për ekipin, ata që na japin shanset më të mira për të fituar, përveç nëse ka diçka që nuk është e përshtatshme.

Njerëzit mund të mos pajtohen me lëvizjen e Henderson në Arabinë Saudite, duke pasur parasysh qëndrimin e këtij vendi ndaj LGBT, por nuk mendoj se kjo është një arsye për të mos e zgjedhur atë në kombëtare.

Nëse do t’i zgjidhja lojtarët në bazë të një konkursi popullariteti, skuadra do të dukej ndryshe. Maguire do të ketë paraqitje të mirë në kombëtare".

Së fundi një batutë për humbjen në finalen e "Euro 2020" dhe peshën e Angli-Itali: “Që atëherë kemi pasur një rrugëtim shumë të gjatë dhe jemi rritur, mendoj jo vetëm për shkak të asaj që ndodhi në atë ndeshje.

Në dy vite kanë ndodhur shumë gjëra. Sigurisht kemi mësuar nga ajo ndeshje, por edhe nga ndeshjet që kemi zhvilluar që atëherë, përfshirë edhe ato kundër Italisë.

Mezi presim të përballemi sërish me kampionët e Europës në fuqi, sepse është një ndeshje cilësore me një stadium të mbushur plot në ‘Wembley’. Këto janë netët që dëshironi t’i shijoni maksimalisht".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd