Transmetuar më 16-10-2023, 19:06

Pas përfundimit të Samitit në Tiranë, Edi Rama, kancelari gjerman Olaf Scholz, Presidentja e KE, Ursula von der Leyen folën për marrëveshjet e arritura.

"Samiti u mbyll me diskutime të frytshme, me shkëmbime të hapura dhe ndjenjë të vërtetë miqësie. Nuk do gjeja dot kurrë fjalët e duhura për të falënderuar kancelarin, i cili qe i hapur për ta sjellë këtë proces jashtë kufijve të BE. Po ashtu për të falënderuar presidenten. Ky është një moment i vështirë për këdo, për shkak të krizave të një pas njëshme që kanë goditur të gjithë ne. Këta dy gjermanë krahë meje kanë orare e afate të përcaktuara, kështu që nuk dua të marr nga koha e tyre. Pranoni mirënjohjen time për gjithçka po bëni për ne dhe që jeni një fuqi e qetë mbresëlënëse që këmbëngulini për të shtyrë BE dhe Ballkanin për të ardhur më pranë njëri-tjetrit”, tha Rama.

Marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të kualifikimeve profesionale është nënshkruar ditën e sotme te Piramida e Tiranës. Kjo marrëveshje është nënshkruar mes liderëve të Ballkanit Perëndimor pasditen e sotme.

Marrveshja përfshin njohjen e kualifikimeve profesionale të infermierëve, veterinerëve, farmacistëve dhe mamive në kontekstin e marrëveshjes së tregtisë së lirë të Evropës Qendrore, (CEFTA). Ndërkohë që vitin e kaluar u nënshkrua njohja e kualifikimeve për njohën mjekëve, stomatologëve dhe arkitektëve.