Transmetuar më 16-10-2023, 14:33

TIRANË- Siç u paralajmërua, siguria në kryeqytet sot është e një niveli të lartë, teksa janë mbledhur të gjithë liderët e BE dhe ata të Ballkanit Perëndimor, ku po mbahet Samiti për Procesin e Ballkanit. Policia e Shtetit dhe Garda kanë ‘blinduar’ institucionet.

Siç shihet nga pamjet, efektivë të policisë ndodhen në çdo godinë të lartë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe po vëzhgojnë në të gjitha këndet me dylbi. Aktualisht samiti po mbahet në ambientet e Piramidës.

Gjithashtu, për të garantuar sigurinë e këtij aktiviteti, po bashkëpunohet me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit në vend, si dhe me organizatat ndërkombëtare INTERPOL dhe EUROPOL, për shkëmbimin në kohë të informacioneve.

Masat e planifikuara nga Policia e Shtetit, për këtë aktivitet të rëndësishëm konsistojnë në disa plane, konkretisht:

-Garantimi i rendit publik, para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit;

-Organizimi i shërbimeve policore, për sigurimin e të gjithë perimetrit të sigurisë së Samitit;

-Sigurimi i delegacioneve përgjatë gjithë rrugëkalimit, nga Rinasi për në Tiranë;

-Eskortimi i delegacioneve nga aeroporti i Rinasit, për në vendin e zhvillimit të Samitit në Tiranë, dhe në kthim për në Rinas;

-Eskortimi i delegacioneve nga PKK Morinë, Kukës, për në vendin e zhvillimit të Samitit në Tiranë, dhe në kthim për në Morinë, Kukës;

-Eskortimi i delegacioneve nga PKK Hani i Hotit, Shkodër, për në vendin e zhvillimit të Samitit në Tiranë, dhe në kthim për në Hanin e Hotit, Shkodër;

-Sigurimi i rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës;

-Menaxhimi i trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit, etj.

Për garantimin e sigurisë, para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit, është parashikuar ky perimetër sigurie:

-Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga ura e Dajtit deri te sheshi “Nënë Tereza”;

-Bulevardi “Bajram Curri” nga kryqëzimi me Rrugën e Elbasanit deri te kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”;

-Rruga “Papa Gjon Pali II”, “ETC-RTSH-Stadium”;

-Rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Liceut deri te rruga e “Elbasanit”;

-Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;

-Rruga “Jul Variboba”, pranë postës, në rrugën e Elbasanit dhe në rrugën “Papa Gjon Pali II”;

-Rruga “Fatmir Haxhiu”, te ETC;

-Rruga “Lekë Dukagjini”, nga sheshi “Frederik Shopen”, deri te stadiumi “Air Albania” dhe përreth stadiumit;

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd