Transmetuar më 16-10-2023, 13:03

Gerry Cardinale ëndërron shumë. Pronari i “RedBird” dhe klubit kuqezi tregoi “Milanizmin” e tij edhe përballë presidentit të SHBA, Joe Biden, por jo vetëm.

I ndodhur në Uashington, ai foli për “ClassCNBC”, ku shpalosi qartësisht qëllimet në krye të “Djallit”: “Dua të fitoj si Silvio Berlusconi.

Objektivi është të kthehemi në lavditë e Milanit të së kaluarës, atë të Berlusconit. Ne jemi klubi me numrin më të madh të titujve të Champions League, pas vetëm Real Madridit.

Synojmë titullin dhe duam të ecim përpara sa më shumë të jetë e mundur në Kupat e Europës. Milani ka qenë i yni prej një viti dhe unë nuk kam bërë shumë lëvizje gjatë kësaj periudhe.

Doja të sigurohesha që gjithçka funksiononte, kryesisht kam vëzhguar. Morëm kohën tonë të studimit të situatës, kushdo që ishte atje para nesh (Elliott) ka bërë një punë të shkëlqyeshme.

Fansat kuqezinj na pritën në një mënyrë fantastike. Ndryshimet ndonjëherë trembin, por jemi te Milani për të bërë mirë brenda dhe jashtë fushës. Duam të transferojmë modelin tonë të biznesit në Itali.

Është e mundur, por duhet ta ‘italizojmë’ ekipin si një partneritet me tifozët. Unë dua që praktikat më të mira amerikane të jenë të suksesshme edhe në Itali.

Bilanci fitimprurës? Nuk dua të marr kredi për situatën aktuale të Milanit, është një përpjekje ekipore. Në futbollin europian, të ecësh sa më larg në Ligën e Kampionëve është thelbësore; ndryshon kartat në tavolinë.

Ne duhet ta bëjmë këtë, fokusi është fitimi i titullit dhe avancimi sa më përpara në Europë. Edhe jashtë fushës kemi bërë një punë të shkëlqyer.

Unë dua t’iu jap tifozëve ‘Scala’ e ri të futbollit europian. Nëse e bëjmë këtë, stadiumi do të ketë një ndikim të madh në të gjithë Seria A. Do të ndërtohet në ‘San Donato’, projekti është 5-vjeçar.

Në strukturat drejtuese të klubit duam të kemi edhe Ibrahimovic, sepse është një lider, e njoh dhe më pëlqen shumë. Unë mendoj se Ibra është një lider i lindur, kemi nevojë për personazhe të tilla.

Ai mund të shërbejë si këshilltar imi, por edhe si lider në raport me skuadrën. Zgjedhja varet nga ai, ne po e diskutojmë tashmë".

Të drejtat televizive? Kam punuar në media sportive. Ju mund të vazhdoni të punoni me kompani tradicionale, ose të krijoni kompaninë tuaj mediatike. Me dikë si ne në Serie A, ky opsioni i dytë duhet të merret në konsideratë.

Nuk e di nëse do të ndodhë kështu, sepse bota e mediave sportive është e komplikuar. Do të duhet të gjejmë mënyrat e duhura për të maksimizuar vlerën e përmbajtjes sonë. Po them se ka interes të madh ndërkombëtar për Serie A”.